Friday, October 12, 2012

HIMNI KOMBETAR DHE GJENEZA E TIJ:nga"LASGUSH PORADECI"

Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij


Një vështrim reth fillimeve të kishës shqipe në Rumani

Lëvizja shqiptare për vetëqeverim dhe pavarësi është një vepër që i vete përkrahu lëvizjes së popujve të Ballkanit drejt lirisë kombëtare, edhe këta të lëkundur së largu ndonëse von nga ryma e kryengritjes së madhe frënge, që gatoj dhe përforcoj kombëtarisht gjith Europën.
Lëvizja e shqiptarëve për të fituar lirinë dhe kombëtarësinë e humbur mori fill në qindvjetorin e kaluar brënda kollonive të mërgimit, dyke patur si udhëheqëse më të vendosur dhe më të madhe atë të Rumanisë me kryeqëndër Bukureshtin.
Prej Bukureshti ku u themelua shoqërija dhe shtypëshkronja dhe gazeta dhe shkolla dhe kisha dhe xhamija më e parë shqiptare nër gjithë popujt ballkanikë të robërisë, ideja e Rilindjes u përhap kudo që ndodhej një bërthamë shqiptarësh jashtë kufirit të atdheut, me Ballkan dhe Egjipt dhe Europë dhe Amerikë në krye të radhës. Kollonija e Bukureshtit jo vetëm që e fitoj famën e saj të pavdekur si veteranja e veteraneve me një vepërim politik të shumëanshëm, po veçanërisht dhe sipër së gjithash ajo u çqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brënda Shqipërisë. Ajo shtypi librat e Naim Frashërit dhe të Asdrenit, që përflaknë të rinj e pleq me zjarrin e përvëluar të atdhedashurisë. Ajo e përmbajti në gjirin e saj dhe përtej, shpirtin e kombit të etuar për liri dyke e nxitur pa pushim në punë vetëtherrorije, dyke i rrëfyer me njëmijë shëmbëlla udhën e shenjtë që shpinte për në jetën e pavarrur të shtetit shqiptar të ardhshëm.
Një nga këto shëmbëlla, me rëndësi të pallogaritur për vajtjen ngjitëse të lëvizjes së Rilindjes është krijimi i grupit të këngëtorëve shqiptarë të mërgimit, organizimi i Korit Shqiptar Kishëtar në Bukuresht. Prej gjirit të tij mori lindjen himni kombëtar i shqiptarëve, me fjalët e të cilit në gojë luftonin çetat e kryengritjes dhe vdisnin vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Ay u shentërua kësisoj jo vetëm si kënga e luftëtarëve dhe veteranëve të çlirimit, po u bë dhe himni i gjithë Shqipërisë, himni i shtetit shqiptar të ngritur me therrorira qindvjeçare. Dhe tashi, si në ditën më të parë të lindjes së tij, ay tingëllon në vesh dhe në shpirt me fjalët e tij lartësonjëse, i mbushur plot me hijen e rëndë të burrërisë, të betimit dhe të besës së dhënë shqiptare: Flamurit pranë të bashkuar. 
Si doli kjo këngë e kombit kaq e përhapur dhe kaq e kënduar - m’e përhapura dhe m’e kënduara nga të gjitha - prej gjirit të një kori kishëtar shqiptar të mërgimit? Doli ashtu, vetvetiu, papritur, pa dashur, siç del një fjalë ose një dëshirë nga zemra, kur zemra është plot. Ajo ka lindur pa pretendime, në mënyrën më të thjeshtë, nga gjindja e shqiptarëve të robëruar dhe të mërguar në vënd të huaj. Nga kjo arësye mban pra më vetëhe dhe shënjën e dyfishme të mburimit të saj. Mban të ndarë më dy anë hovin e brëndshëm dhe shtytjen e jashtme që i pat dhënë trajtë. Dhe aq spontane, aq e pamenduar është gjeneza e saj, sa i naturshëm dhe krejt i vetëkuptimshëm ishte malli për atdhe brënda rastit që bëri të duhur dhe të mundur krijimin e Korit Kishëtar Kombëtar të lartpërmëndur.
Ky kor u themelua në Bukuresht nga fundi i vitit 1907, aty si nga Nëntori-Dhjetori prej të rinjve dhe më të rinjve shqiptarë të kryeqytetit rumun. Ishte formuar me një qëllim të lartë kombëtar, për këngë të vendlindjes, për zbukurimin e shërbesës fetare në kishën shqipe të Bukureshtit. Midis themelimeve kombëtare me të cilat ka dashur të pajohet Kollonija e Bukureshtit dyke i sendësuar (realizuar) radhazi që të gjitha, është dhe kisha e komunitetit orthodhoks shqiptar të atjeshmë. Me mundime të shumta, dhe më të shumta therrori, harriheshin për-dita qëllimet dhe pajosjet atdhetare të këtyre veteranëve të patundur të Rumanisë. Ndërhyrjet, lutjet, shtytjet e njëmijëllojshme të tyre pranë qeverisë dhe të veçantëve, janë lënda kryesore për nxjerrjen e istorigrafisë dhe të kronikës së shoqërisë që përmbanin dhe përfaqësonin. Tashi pra kësaj here dha lejë Mitropolija rumune të meshohej shqip në një kishë të vjetër të Bukureshtit, të cilës i theshnin Shën-Gjergji-i-Vjetër. Kish ardhur aty së-shpejti një prift beratas, Harallamb Çalamani, dhe shqiptarët e Bukureshtit më s’pritnë që të heqin dobi nga ky rast, dyke i-u përveshur punës për fillimin e një shërbese fetare shqip, gjë e cila i-u qëndronte prej kohe aq për zemër.
At Harallamb Çalamani kish qënë me shërbim priftërije në një kishë të Patriarkisë në Stamboll, domethënë brenda në zemrën botërore të orthodhoksisë, në qëndrën politike që urdhëronte ndalimin fetar të shqiptarëve për të themeluar Kishën e Krishtit në gjuhën shqipe. Ay nuk e dinte priftërinë mirë, ish vetëm si vepëronjës në atë kategori priftërinjsh të Patriarkisë, të cilët kanë për detyrë të mirosin besnikët në Mitropoli. Jo që s’e dinte fare shërbimin e tij si prift, po nuk para meshonte dhe aq regullisht, i zënë siç ishte pa pushim me punën e mirosjes, për të cilën ish caktuar posaçërisht së-bashku me një sërë tjetër priftërinjsh të këtij rendi të Patriarkisë. Kish dhe një shkak tjetër At Harallamb Çalamani që nuk vihej lehtë në të meshuar; sepse i mungonte një cilësi e domosdoshme për këtë shërbim: ay s’kishte zë.
Ardhja e tij në Rumani dhe dorëzimi si prift shqiptar i Kollonisë së Bukureshtit i përngjan faktit të kaqe veteranëve, të cilët zgjimi kombëtar i pat gjetur, sipas rethanave të asaj kohe, në zyrë shërbimi gërqisht ose turqisht, përpara çasit të shenjtë të thirrjes së gjakut ndaj idealeve kombëtare.
Në qytetin Mangalia të Dobroxhës së Rumanisë grekët e atjeshmë kishin prej kohe kishën e tyre dhe kërkuan nga Patriarkija e Stambollit t’i-u dërgojë një prift për meshim. Patriarkija dërgoj të meshojë në këtë kishë greke At Harallamb Çalamanin nga Berati, me qënë që siç shënuam më sipër ky s’bënte një shërbim të vendosur dhe të vazhduarshëm në Patriarki, ishte vetëm nënë urdhërat e përkohëshme dhe më shumë rastore të saj. Tashi ajo kujtoj se i gjeti një mision, dhe e dërgoj pa vonim nër grekët e Mangalias.
Punët, shumë të afërme, i përgënjeshtruan gjykimet e saj. At Çalamani dyke ardhur nga Stambolli me vapor në Konstancë të Rumanisë u poq këtu më parë me shqiptarët atdhetarë, të organizuar në një degë me rëndësi të Kollonisë veterane qëndrore të Bukureshtit. Aty zemra i-u bë mal nga gëzimi me pritjen fisnike si pas zakonit shqiptar që gjeti nër anëtarët e Kollonisë së Konstancës, me fjalët e ndezura dhe plot shpresë që dëgjoj aty rreth çështjes atdhetare, dhe veçanërisht me zërin e math që ata i dhanë mi vatrën e gjithë shoqërive shqiptare të Rumanisë- mi Kolloninë e madhe, të fortë, të patundur të Bukureshtit, plot punë dhe vepërime për Shqipërinë, e cila s’kursente asnjë therrori po gjithnjë mirte vendime dhe gjithnjë prishte dhe derthte të holla me kraha hapur, për çdo nevojë kombëtare.
Kjo, Kollonija e Bukureshtit, me lajmet që dëgjoj At Çalamani rreth saj, i la një vragë të fellë në shpirt, dhe i ngjalli dëshirën e fshehtë për t’u ndodhur sa më shpejt atje pranë. Si burrë shqiptar, ay nuk mund të hante fjalën me të cilën kish ardhur prej Patriarkisë, fjala e dhënë për të ish besë shqiptare e dhënë. Me zemrën e ndarë më dysh u nis për në kishën greke të Mangalias, ku meshoj, ashtu për ashtu pak kohë, aq sa e mirte ay nër mënd se kjo sjellje nuk mund të nëmërohej, më, e pabesë: dhe një ditë të bukur falet krishtërisht më një qoshe dhe ik e fluturon e vjen drejt në Bukuresht- dritë e vërtetë e ndezur për hovin e papërmbajtur të dëshirës së tij. Falja e tij krishtërishte- siç e rrëfente ay vetë kaq herë në çaset e mallëngjyera të kujtimit- ishte një kujdes i vetëdijes së tij, për të qënë i pastër në misionin shpirtëror si shërbenjës i Krishtit dhe anëtar i kombit të vet. Aq fellë i qenë gëdhendur në mëndje fjalët e faljes, sa i theshte në çdo rast përnjëherësh dhe me lehtësirën më të madhe, kësisoj i kishin mësuar përmëndsh dhe shumë nga shqiptarët më të përditshëm të qarkut të tij të asaj kohe: O Krisht i vërtetë që i dërgove apostujt e Tu mi Dhet dhe i-u the me gojën tënde: ecni dhe lajmëroni fjalën e Zotit nëpër gjithë kombet dhe gjuhërat; ja dhe unë besniku yt po ik tashi që këtu dhe dua të këndoj Ungjillë Tënd të shenjtë në gjuhën e kombit t’im.
Dogma fetare orthodhokse mi karakterin ndërkombëtar të krishterimit, atje ku Krishti i porosit nxënësit e tij të predikojnë Ungjillin nër gjithë popujt, i kish ardhur At Harallambit nga veterani i math Petre Nini Luarasi, mprojtësi i patundur dhe i tmerrshëm i shkronjave shqipe në kohën e Rilindjes. Atdhetarët shqiptarë në luftën e tyre kundër propogandës greke që ndalonte përhapjen shqip të shkronjës së shenjtë, ndërmuar themelimin filozofik të orthodhoksizmës në dogmat që i përkisnin ndërkombëtarësisë, domethënë, midis së tjerash, dhe në të vërtetën e pabiseduarshme të përkëthimit dhe predikimit të Ungjillit nër gjithë gjuhët dhe kombet: pra pikërisht dhe aq më shumë në gjuhën e kombit shqiptar të rilindur.
I pajosur me këtë dritë kombëtare orthodhokse, At Harallamb Çalamani po i drejtohej tashi detyrës së bekuar që i-a kish çelur zemrën posi një foshnje. Ay po vinte për në Bukuresht. Për në shoqërinë, për në zemrën e Kollonisë famëmadhe shqiptare.
Ishte èdhe viti 1907. Kollonija qëndronte, si përhera, në lulëzim. Për ku u nis, ne cili vajti At Harallamb Çalamani sapo zbriti në Bukuresht, në kryeqytetin e Shqipërisë së mërguar? Tek kush tjetër përveç se tek njëri ose tek tjetri nga ata mërgimtarë të njohur, me tregëti ose me punë më të volitëshme, të cilët qoftë nga mirëqënia lëndore qoftë nga ngrohtësija e zemrës ishin dhe janë, atje nër shqiptarët e çatdesuar të mërgimit, çerdhe të vërteta vepërimi dhe atdhedashurije?
Asikohe ish në Bukuresht Vasil Zografi, veteran i math i Kollonisë, bashkë me të-vëllezërit që i rinin ngjitur përkrah në gjëra kombëtare. Ky, në bashkëpunim me ta, kish sipërmarrje të lulëzuar, magazin të math sendesh ushqimore dhe të pirash, shtëpi luksi, në bulevardin Elisabeta nr. 33. Për atje i thanë dhe drejt e atje vajti me hap të bindur At Harallambi. Pritja që i bëri Vasil Zografi, një pritje nga shpirti, e mbushur me njerëzi dhe dashuri, një pritje e cila përmi të gjitha binte erë Shqipëri, të cilën nuk e harrojnë ata që i kanë shkelur pragun- nuk e harrojmë po e mbajmë mirë në mëndje ne që i kemi dëgjuar fjalën shqiptare dhe i kemi parë punën shqiptare- ajo pritje zotëronjëse At Harallambin e preku në zemër. Në fjalim dhe në miqësim e sipër, me dashje dhe pa dashje, sepse ajo që dukej pa dashje ish gjëja më e dashur e qëllimeve të Vasil Zografit, ky i-a tërheq mendimin Atit të përndershëm rreth atdheut, rreth çështjes kombëtare, rreth nevojave të shqiptarëve të Bukureshtit, rreth nevojës së komunitetit orthodhoks të Kollonisë që të ketë një kishë në gjuhën shqip; dhe më në fund e pyet me shumë zemër të paduruar, po me një vështrim bindës, në do që të bëhet prift shqiptar në Bukuresht. Për At Harallamb Çalamanin kjo pyetje ish si vetë dëshira e udhëtimit dhe e jetës së tij që sot e tutje. Dhe me gjith që s’dinte të bënte meshën shqip fare, vetëm dinte të lëçitë shqip dhe këtë e kish mësuar nga abetarja që atdhetarët e Bukureshtit e kishin përhapur në dymbëdhjetë-mijë copë, me gjith moshën e kaluar dhe mjekrën e bardhë të gjashtëdhjet dimërave që i rëndonin mi supë, në këtë pyetje të Vasil Zografit ay e ndjeu të rilindur dhe të zjarrshme si të një të riu, dhe me kurajë e vendim u përgjigj përnjëheresh po! - si një apostull i vërtetë i kombëtarësisë.
Vasil Zografi e puth në ballë dhe pastaj bashkëfjalimi vazhdoj më drejt-për-drejt. E muar fjalën shtëpijakërisht. Të gjitha çështjet, u përfunduan për të mirë, vetëm njëra, ajo më kryesorja, dukej sikur i hithte një hije të mvrejtur fytyrës gazmore të At Harallamb Çalamanit. Ishte vështirësija e kishës, gjetja e ndërtesës së falëtores ku do tingëllonte për së pari lutja e zotit në gjuhën e shqiptarëve Vështirësi e kujtonte prifti atdhedashës. Ay qe çilimi në këto punë, i paregjur në mbrumjen dhe rrahjen dhe përfundimin e problemeve kombëtare me të cilat mirreshin për-dita burrat veteranë të Bukureshtit; me të cilat ata mirreshin, dyke ditur gjithnjë t’i-u nxjerrin një sgjidhje praktike, sipas qëllimit të paracaktuar. Kështu tashi dhe Vasil Zografi. Me bindjen e vepërimtarit që nuk i mprapset asgjëje, që parashëkon sepse shkakton vetë zgjidhjen e ngatërresave të lidhura, ay i përgjigjet dyke mos e prerë fjalën e të mësuarit shqip të meshës nga ana e At Harallamb Çalamanit dhe i thotë: pregatit-e ti sa më shpejt e sa më mirë meshën shqip- pa të gjejmë ne kishë.
Atëherë përpara pak kohe kish dërguar Fan Noli në Bukuresht dorëshkrimin e librës së parë shqip për të meshuar, një vëllim i vogël, i përkëthyer me kujdes dhe përgjegjësi nga gërqishtja, që kollonija e Bukureshtit e kish riprodhuar në poligraf dhe e përhapte falas kudo brënda dhe jashtë Rumanisë, aq më shumë në Shqipëri. Ishin èdhe çaset kur çdo shqiptar e lëçiste dhe e kishte librën nëpër gojë. I ndihmonte përhapjes me të tepër gjuha e kulluar, stili i përshtatur me zotësi të madhe pas tekstit origjinal, po më shumë dhe sipër së gjithash fama e përnderuar e autorit. Libra e shtyp më von në Amerikë me ndihmën e shqiptarëve të mërgimit dhe të atdheut, e Shoqërija Bashkimi e Bukureshtit parableu, për vete, një sasi copësh më të madhe sesa e çdo shoqërije ose e çdo shqiptari në Egjipt, Francë, Rusi, Siberi, Shqipëri dhe njëzet-e-tri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo u botua me fletëtitullin: Librë e shërbesave të shenta të kishës orthodhokse, kthyer nga gërqishtja prej priftit orthodox Fan S. Noli, Boston, Mass. 1909.
Këtë libër kishëtare, të sjellë nga biblioteka e përplotë e anëtarit të Shoqërisë Kristaq Tërpo, që ka mbledhur dhe ruan me fetari gjithë veprat e Rilindjes, Vasil Zografi i-a dha nër duar At Harallamb Çalamanit, dhe ky sapo e mori dhe i shfletësoj faqet e para, i preu aty-për-aty bashkëfjalimet dyke ikur para kohe nga magazini shqiptarpritës i Zografërve: vajti kështu me padurim në dhomën e tij dhe i-u vu me gjith shpirt mësimit të librës, mësimit për-mëndsh dhe fjalë-për-fjalë, si në kohën e mallëngjyer shkollore të fëmijërisë: fara e mirë e fjalës së ëmbël shqipe e hedhur prej Fan Nolit, kish rënë në dherin e mirë të një shpirti të vërtetë shqiptar...
At Çalamani i-u përvesh në dhomë detyrës, u bë përsëri nxënës filloreje, dhe tashi i mbeti radha për punë Kollonisë. Duhej gjetur kisha. Kryetari i shoqërisë dërgoj shkresat nëpër anëtarët e ndryshmë dyke i ftuar në mbledhje të përgjithshme të jashtërendshme. Mbledhjet e shoqërisë mbaheshin natën, prej orës nëntë pas darke e tëhu, dhe zgjateshin regullisht gjer më dymbëdhjetë, shumë herë dhe përtej orës një ose dy pas mesnate. Mbaheshin mbledhjet natën, për t’u përshtatur vepërimi i Kollonisë pas gjindjes tregëtare të anëtarëve. Këta ishin të zënë ditën me punë, ndër tregëtoret dhe zyrat e sipërmarrjeve të tyre. Dhe detyrën ndaj shoqërisë e bënin, sipas vendimit të marë prej tyre vetë, ashtu, dyke u ngritur shpirtërisht ndaj atdheut dhe dyke mos u dëmtuar- sa të ish e mundur- lëndërisht kundrejt nevojave shtëpijake për të cilat kishin marë mërgimin. Si njerës të mënçur dinin të përmbushnin një detyrë dy-fish: dhe qengjin t’a pjekin dhe hellin të mos e djegin. Dhe kështu i-a rrëmbenin kohën gjumit, një herë në javë, për mos t’i-a prishur peshën përmbajtjes dhe mirërritjes fëmijare. Nata e mbledhjes së shoqërisë ishte zgjedhur posaçërisht ajo e ditës së-Premte, pas mbarimit të tregjeve dhe tregëtimeve brënda në qëndër në kryeqytet dhe jashtë- nëpër qarqe. Të qetësuar kësisoj nga përpjekjet e ditës dhe të javës mundnin t’i kushtohen më gjallërisht çështjeve aq të dashura, nënë dritën elektrike të një lustri të math në sallën e Selisë Shoqërore. Në këtë sallë, ku u patnë lëçitur me mallëngjim për të parën herë vjershat e Naim Frashërit pas dorëshkrimit të ardhura fshehtazi nga Stambolli, ku mirte pjesë shpesh herë Çerçiz Topulli me Mihal Gramenon dhe Spiro Ballkamenin, kryengritësit e Rilindjes që vinin të kalojnë dimrin në gji të shoqërisë në Bukuresht dyke pritur veshjen me fletë të maleve shqiptare, dyke pritur parëverën e kur këtheheshin përsëri në atdheun e robëruar për t’a çrobëruar me pushkë në dorë,- këtu u mblodhë tashi burrat e veteranërisë, ata të kryeqytetit dhe të qëndrave përqark, Konstancë, Jash, Braillë ettj. Mbledhjet e shoqërisë bëheshin përhera që të mbarohet një punë, kurrë që të bëhet fjalë e kotë. Anëtarët e dinin vetë këtë gjë, ish një vendim i marë që në fillimin e themelimit të saj. Karakteri i shoqërisë ish idealist, aty ish nevojë vetëm për dy gjëra: therrori dhe vepërim. Kur i-u vinte prej sekretarit një ftesë për mbledhje të jashtërendshme, sicili nga anëtarët e mirte me mënd se duhet paguar ose i duhet përveshur një pune për t’a kryer. Kështu të pregatitur u mblodhë që të gjithë përsëri dhe tashi, dhe Vasil Zografi i-u lajmëroj lajmin gazmor të kishës për t’u themeluar, dhe, si gëzim më të math, ardhjen e At Harallamb Çalamanit në gji të Kollonisë. U derthnë më parë pagesat e nevojshme për jetesën e Atit të përndershëm dhe u vendos, me qënë që çështja ish e ngutëshme, të ndërhyhet pranë Mitropolisë së Bukureshtit për dhënien e një kishe Kollonisë shqiptare ku të meshohet shqip.
Kërkesa ish e kuximshme nga ana e shoqërisë, po jo dhe aq e papritur për Mitropolitin, i cili kish të njohur dhe miqësi vetore me shumë anëtarë dyke ditur mirë dhe dyke e marë me mënd ç’i-u zjente në zemër të gjithëve pa asnjë ndryshim. Nga ana e saj dhe lutjes i kish hije për kërkesën që mbante, ajo e vinte Mitropolitin përpara një fakti të filluar që priste mbarim, i bënte të njohur sjelljen, me shumë therrori, të priftit shqiptar posaçërisht nga Shqipërija dhe pregatitjen e tij për t’a mbajtur meshën shqip në mënyrën më të përsosur pas librës së Fan Nolit. Kryesisht libra e Fan Nolit i bëri shentërisë së tij një përshtypje të fellë. Mitropoliti u kënaq me të tepër kur pa se organizimi i kishës shqiptare kish bërë një fillim me rëndësi; ay kish nisur përurimin e vet me qarkullimin e një vepre themelore. Urdhëri i dhënë i erarkisë së Bukureshtit vetëkuptohet, siç u muar vesh dhe drejtazi më von, se kish qënë kategorik; ay kërkonte shënimin e një kishe me rëndësi në kryeqytet, ku të kremtërohet meshimi i parë shqip i Komunitetit orthodhoks shqiptar. Dhe falëtorja u gjend me-do-e-mos, u gjend brenda mun në qëndrën më të populluar të Bukureshtit, në vëndin më të përshtatur, vetëm disa hapa larg nga Selija shoqërore e shqiptarëve; ishte një ndërtesë faljeje antike, mbretërore, e shpallur prej kohe me vendim ligjor si monument kombëtar i shtetit rumun. Kaq e rëndë ish ndaj udhëheqësit e popullit rumun hija e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit.
Falëtorja e caktuar për Kolloninë shqiptare jo vetëm që ish një kishë e mirë, e radhës së parë, në qëndër në kryeqytet, po gjindej dhe në mes të tregut të Bukureshtit dyke bërë nga ky shkak pa dashur një propogandë të pashme dhe të bujëshme para syve të shumicës për çështjen t’onë kombëtare. Dhe shoqërija e Kollonisë diti të përfitojë nga ky rast, me kujdesjen që i dha spastrimit, lyerjes dhe zbukurimit të jashtëm të kishës, që të duket se ka hije jo vetëm për shërbimin fetar të komunitetit, po sipër së gjithash dhe çkëlqimërisht për idealin e lartë kombëtar të cilit me zemër i ish kushtuar. I theshin falëtores Shën-Gjergji-i-Vjetër, po ajo s’ish në të vërtet dhe aq e vjetër, quhej kështu për t’u çquar nga një kishë tjetër që e kish emrin Shën-Gjergji-i-Ri dhe ish ndërtuar më von sesa kisha e shqiptarëve. Që të dyja i kishin bërë me të hollat e tyre isnafët e Bukureshtit aty e dy-qind vjet më parë kur krijimi dhe administrimi i falëtoreve kish një karakter më shumë qytetar, me dhuronjësit dhe kujdesonjësit e tyre privatë sipas një zakoni të traditës fetare orthodhokse. Isnafët i kishin këto kisha dhe nënë vërrejtjen e drejtpërdrejtëshme të tyre, gjer sa më në fund, dyke u çdukur dal-nga-dal kjo gjindje patriarkale, mprojtjen dhe mbikqyrjen e tyre e mori Bashkija. Prej Bashkisë mvareshin ato gjer tashi në këtë kohë, ajo i paguante me të ardhurat e saj pa ndërprerje dhe priftërinjtë.
Falëtorja Shën-Gjergji-i-Vjetër ishte pa enori, pothuajse nuk kish asfare lagjë aty pranë për të marë pjesë në shërbimin fetar, sepse siç u shënua më sipër lagja ish me tregëtore, ish treg dhe qëndra e Bukureshtit, me pjesën më të madhe të popullsisë të përbërë prej israelitësh. Me gjith që pa enori, vetëm me një pakicë besnikësh të krishterë, kisha e Shën-Gjergjit-të-Vjetër mbante regullisht priftin e saj, vërtetonte kështu me punë dogmën ungjillore sipas së cilës atje ku janë dy-tri veta të mbledhur në emërin e Zotit, është midis tyre dhe Zoti vetë. Dyke i-u dhënë Mitropolija lejë meshimi shqiptarëve urdhëroj këtë prift se në “Shën-Gjergjin-e-Vjetër” do bëhet shërbimi i perëndishmë dy-fish, në njërën psaltore rumanisht dhe në tjetrën shqip.
Leja u dha në vitin 1908 dhe ka qënë një gëzim, një lumtëri, një festim i përgjithshëm për veteranët e Bukureshtit. Rëndësija që i pat dhënë Mitropoliti çlirimit të kishës shqiptare nga zgjedha politike e Patriarkisë, i nxiti anëtarët e Kollonisë për vepra më të bukura, dyke i mbushur jo vetëm me mirënjohje për qëllimin e harijtur po dhe më çqetësimin e një dëshire shumë të madhe për t’a plotësuar sa më tepër në pikëpamjen e artit muzikor kishëtar.
Leja ish për ta një eveniment në kuptimin më të lartë të fjalës, dhe këtij evenimenti u menduan t’i japin tashi gjithë çkëlqimin e duhur. 
Ata vendosnë t’a bëjnë kultin e meshës me një hijeshi të brëndshme, pleqësuan për këtë qëllim formimin e një Kori Kishëtar i cili të ish kurorëzimi i gjithë kësaj çështjeje kombëtare të përfunduar, më shumë sesa plotësimi teknik i regullshëm i shërbimeve hijerore me përgjigjet e duhura nga ana e korit. 
Kori u formua në mbledhjen e shoqërisë me vendim të njëzëshmë, u zgjodhë pjesëtarët nga gjith ata shqiptarë të rinj që ndodheshin asikohe në Bukuresht, dhe, si rendërisht, u derthnë më parë prej udhëheqësve të hollat e nevojitura të punës fillimtare: tre-qind lei flori, me të cilat u ble një orgë e bukur për ushtërimet himnike.
Kur themelonin shqiptarët e Bukureshtit një ngrehje kombëtare, kishin kujdes gjithnjë që drejtonjësit dhe mprojtësit e saj t’i zgjedhin nër korifenjtë e jetës rumune. Ata deshnin që, vepra e tyre, të përfitojë nga prestigji i parë i vëndit, nga fjala e fundit e diturisë. Kryeveterani Nikoll N. Naço-Korça dyke themeluar në Bukuresht të parën Shoqëri të Mësimit shqip, “Dritën” e tij të famshme më 1884, vuri në krye të saj një pasanik të math- pastaj, në vëndin e nderit në Komitet, princin rumun prej gjaku shqiptar I. Gjika, shkencëtarin V. A. Urege dhe, midis të tjeresh, vjershëtorin më të math të atëhershëm të Rumanisë Vasile Aleksandri, të mbiqojtur prej filoshqiptarit Eminesku mbret i poezisë; në krye të fletores së tij Shqipëtari Naçua kish për drejtor profesorin e ndritur C. Predesku, dhe fletorja botohej, siç shënon Shqiptari vetë, nënë redaktimin e një grupi profesorësh rumunë; në krye të shtypshkronjës shqipëtare të botimeve të tija Naçua kish tipografët profesionistë rumunë Mocëceanu dhe Lambru, të cilin mbanin përsipër udhëheqjen teknike; dhe në krye të Shkollës Normale shqipe të tij - që ish e para e gjithë mërgimit - Naçua vuri leksikografin dhe filologun rumun me famë të përbotshme B. P. Hazhdeu, autor i një theorije së re mi gjuhën shqipe, anëtar i Akademisë rumune në Bukuresht, i Akademisë Imperale të Diturive në St. Petersburg, i Shoqërisë së Linguistikës në Paris, i Shoqërisë së Arkivave në Belgrad dhe në Sofje ettj., drejtor i përgjithshëm i Akademive të Shtetit dhe profesor i filologjisë së krahasuar në universitetin e Bukureshtit. Mësonjësit e shkollës ishin të gjithë personalitete, profesorë universitarë dhe doktorë, sicilido një specialist i mbaruar në degën e vet: T. Speranca, doktor në filozofi dhe letra, profesor i letraturës popullore në Universitetin e Bukureshtit; S. Popesku, i diplomuar në theologji, profesor në Fakultetin e Theologjisë në Bukuresht; E. Grigorovica, profesor në Shkollën e Lartë të Luftës; V. Gr. Borovan, i diplomuar në Fakultetin e Theologjisë dhe Pedagogjisë në Budapest; A. Kolorian, i diplomuar në dituritë fiziko-naturore nga Fakulteti i Bukureshtit dhe doktor në dituritë fizike i Fakultetit të Parisit; N. Kosëçesku, i diplomuar i diturive fizike nga Fakulteti i Bukureshtit dhe i Shkollës së Lartë të Telegrafisë në Paris.
(Mi Naçon shih: Lasgush Poradeci, Një Fatos i Veteranërisë shqiptare. Fytyra urdhëronjëse dhe vepërimi heroik i kryeveteranit Nikoll N. Naço-Korça, Konstancë 1932;
Nikoll N. Naço-Korça dhe shoqërija e tij e famshme “Drita”, në fletoren Tomori, Tiranë 25 Tetor dhe muajt vazhdonjës 1942 si dhe muajt vazhdonjës 1943).
Këta paravajtës shqiptarë të atdhetarisë besonin në veprën e tyre, i viheshin me gjithë shpirt, me tërë therrorësinë e nevojshme, e mbanin krijesën e tyre në gjallëri të pangadalësuar kurrë, dhe prandaj përfundimet vinin vetvetiu sipas qëllimit të shenjtë të cilit ata i shërbenin. Prandaj dhe pasardhësit e Shoqërisë “Drita”, të cilët ajo i riti me parimet e kulluara dhe të zjarta të atdhedashurisë, i-a zbarthnë faqen shqiptarisht kurdoherë prandaj nxënësit e Normales shqipe të Bukureshtit u çquan me nder në fushën kombëtare, merituan emrin e lartë të veteranit të Rilindjes: aty mësuan mësimin shqip Aleks Stavre Drenova, i cili nënë pseudonim do bëhej vjershëtori kombëtar Asdren; aty Mihal Gramenua, kryengritësi i pavdekur, i cili i-u la bashkëkombasve të tij për trashëgim një copë të ngrohtë nga zemra e tij, këngën kombëtare Për mëmëdhenë; dhe aty një varg i tërë shqiptarësh veteranë, të cilët do të dinin t’a nderojnë shkollën dhe shoqërinë dhe Kolloninë, ku kishin pirë sisën e ëmbël të vendlindjes.
Atë kujdes pra që kishin patur anëtarët e parë të Kollonisë për të fuqizuar prestigjin e saj me korifenjtë e kulturës rumune, atë vazhduan tashi t’a përmbajnë bërësit e Korit Kishëtar shqiptar. Këta zgjothnë dhe pajtuan si profesor dhe drejtor të korit muzikantin rumun më të math, të bujëshmin Kiriak, profesor në Konservatorin e muzikës dhe të artit dramatik të Bukureshtit.
Kiriak-u ish Kryetar i Shoqërisë Korale të këngëve popullore rumune Karmen, të cilat i kish harmonizuar për kor me një art dhe me një stil origjinal të pakaluar. Kur jipte Kiriak-u çfaqjet e korit të tij në sallën e madhe të koncerteve në Ateneumin Rumun, biletat s’gjindeshin dot- ato parabliheshin me një etje të madhe. Ishte kor i famshëm ky: zërat e ndara me një koncept teknike së paimituarshme në të parë, të dytë, ettj., me baset dhe kundërbaset dhe veçanërisht me solistët e habitshëm në virtuozëri, e mbanin veshin e dëgjonjësve të mvarur si prej një fije së stërhollë mëndafshi. Virtuozërija e ekzekutonjësve nuk ish thjeshtësisht teknike, ajo i përshtatej drejt-për-drejt rithmit të përbrëndshëm shumë origjinal të këngëve popullore rumune. Këtu qëndronte fama e Kiriak-ut, i cili korin prej njëqind vetash e kish zgjedhur vetëm nga nxënësit e tij, dhe vetëm pas përsëritjesh (repeticionesh) së panëmëruara çfaqej botërisht. Një nxënës i Kiriak-ut është dhe profesor Sotir Kozmua në Korçë, i shumëvlefshëm e i palodhur dhe krejt i painteresuar lëndërisht në organizim koresh dhe çfaqjesh artistike shqiptare. Kiriak-u vdiq aty përpara nj’a dhjetë vjeteve, shpirti kombëtar i-a ka përjetësuar mirënjohjen e vet me bustin prej bronzi të ngrehur në kopsht përpara Ateneumit Rumun, i cili u ndërtua më 1880 me leu-n e popullit dyke u bërë mbledhja nënë kryefjalën: jipni leu-n- për Ateneu-n!. Ka dhënë aty dhe famëmadhi shqiptar nga Labova e Gjirokastrës Vangjel Zhapa, emëri i tij është skalitur mi pllakën e mermertë me shkronja floriri që përmban dhuronjësit e mbëdhenj me sumëra më të rëndësishme. Zhapa figuron si dhuronjës me-një-sesë pas mbretit Karol të Irë të Rumanisë. Ay i pat kushtuar Akademisë Rumune dhe një sumë, që jipet mot-për-mot si çmim për letrësinë rumune nënë titullin Fondi Vangjel Zhapa.
Kjo pat qënë pra me vija kryesore fytyra e lartë e profesorit Kiriak, prestigji i të cilit thirrej tashi të hedhë dritën e tij mi Korin Kishëtar shqiptar të Kollonisë së Bukureshtit.

PARAVAJTJA E HIMNIT: MARSHI ATDHESOR NË DORËSHKRIM “EJANI SOT, O SHQIPËTARË”

Mbledhja e parë që profesori Kiriak bëri për formimin e Korit shqiptar ish në Sala Transilvania, më 1907. Aty i-a-u ndau pjesëtarëve të rinj shqiptarë zërrat sipas cilësisë përkatëse- sopran, tenor, bas, ettj.- i parë me të parë, i dytë me të dytë ettj.- dhe tashi, në një pushim plot gas dhe kënaqësi artistike, plot hov patriotik, ay i thotë Asdrenit i cili ndodhej midis këngëtorëve dhe ish i dëgjuar nga emri si vjershëtor kombëtar pas shtypjes së vëllimit të tij Reze Dielli në Bukuresht më 1904: Ti je poet, bëj një strofë shqip që t’a harmonizoj për korin dhe t’a këndojmë. Pa mbaruar dhe fare këto fjalë mjeshtri i math, gjithë anëtarët e korit buçitnë me një zë në mes të enthusiazmës: rroftë Asdreni! rroftë Asdreni!, Asdren! Asdren!, marshin Asdren!, marshin shqip! marshin shqiptar!. Dhe si të rinj që ishin dhe kokën plot tym me Shqipëri që e kishin, kush prej tyre këndonte një varg të himnit rumun, kush një motiv ushtarak, kush prapë- dhe gjë e çuditshme po fare e vetëshpieguar... - një frazë muzikore të romancës së zemrës së tij. Pastaj u mblodhë në thirrjen e bilbilkës që i lajmëronte për ushtërim, për ushtërimet e para, që të familiarizohen me notat dhe gamat dhe tonet e veçanta të psalmodive. I tërhiqte pa e kuptuar për këto natura gazmore, zemra e ëmbël prej artisti dhe personaliteti dinamik, vulkanik i profesorit të adhuruar. Asdrenin, që aty një ças përpara e kishin qëndër të përflakjeve të tyre, tashi e kishin harruar... s’e vinin më re... Ay ish larguar aty pranë, rinte tulitur në një qoshe të sallës së madhe.
Rinte i thjeshtë dhe mendonte i thjeshtë dhe punonte i thjeshtë një këngë Shqipërije të thjeshtë, siç ka qënë, siç i ka patur përherë hije zemrës së tij së thjeshtë prej njeriu dhe prej atdhetari dhe prej artisti të thjeshtë që ka qënë kurdoherë veterani-poet Asdren.
Kur me rastin e kremtimit kombëtar që organizoj Kollonija për Asdrenin në gjashtëdhjetvjetorin e tij në Bukuresht shkronjësi i këtyre radhëve u ftua për pjesëmarrje si ish-shtëpijak i familisë së saj së madhe, nuk mendoj mënyrë më të përshtatur përshëndetjeje së-largu nga një vënd i huaj ku kaloj nëntë vjet i etuar për Shqipëri, sesa mënyrën që ishte, naturisht, mënyra dhe qënia e gjithënjëshme, ngjyra e pandryshuarshme e burrit, shqiptarit dhe vjershëtorit Asdren: Thjeshtësija; dhe i dërgoj lavdurimin e thjeshtë, që pat përbërë vetë lavdinë e portretit të thjeshtë të jetës dhe të punës dhe të shkrimit të thjeshtë të Asdrenit:

Burr’ i urtë-e i veçuar,
Shqipëtar me shpirt të qruar,
Vjershëtor vjershë-kënduar.

Pate shkruar e punuar,
Kombin për t’a kombësuar,

Shqipen për t’a shqipëzuar.

Pa u turbulluar aspak prej zhurmës së shokëve të tij të korit në ushtërim e sipër solfegjesh, siç ish tërhequr Asdreni ashtu, improvizoj- atje, në Sallën Transilvania, atë ças- strofën patriotike që fillon me vargun:

“Ejani sot, o Shqipëtarë...”

Është një strofë e cila nuk gjindet as në Reze Dielli (1904), as në Ëndra e Lotë (1912), as në Psallme Murgu (1930). Poeti s’e ka botuar gjer më sot në asnjë vënd, ajo gjindet midis letrave dhe shkresave të tija, në bibliotekën e tij në Bukuresht. Ka qënë poezi me rimë, poezi sepse Asdreni pat bërë katër strofa, nga të cilat profesori Kiriak vuri në nota vetëm njërën, dyke i kënduar pastaj kori të tjerat pas së parës. Atë strofë të Asdrenit Kiriak-u e bëri me zë që të kenë anëtarët e korit një marsh patriotik për të kënduar dhe ekzekutuar midis ndërpushimeve ose në çdo rast manifestimi.
Ç’ishin këta, cilën ishin këta anëtarë kaq idealistë të Korit shqiptar të Bukureshtit? Ishin të rinj thuajse që të gjithë, po të rinj me zemër burri, me kurajë prej luani. Ata u çquan dhe janë çquar gjithnjë, gjer në vdekje ose gjer tashi në moshë të vjetëruar, me punën e tyre shqiptare të palodhur. Tridhjet veta të vendosur për ritjen e emrit të atdheut, midis të cilëve vëllezërit Dhimitër Zografi dhe Grigor Zografi, me tregëtoren e tyre fole të dëgjuar për punët mëmëdhetare, zotërinjtë Llambi Cicimiçe, Dhimitër Kalakuçi (Dhimitër Konea), Ilia Teodoru (Ilia Shupelka) dhe Pandel Durmishi, punëtori boem i palodhur, zemërbardhi që bënte përdita therrorinë shoqërore të krishtit për të afërmin shqiptar, anëtari për të cilin mosmarrja pjesë qoftë dhe vetëm një herë në mbledhjet e Kollonisë përbënte një mallkim familiar - siç kish zakon të përsëriste ay vetë me gojën e tij në raste përkatëse, Rafail Anastasiu (Rafail Anastas) dhe Andrea Alilozi, besniku me besë të pathyer i kryetarit të famshëm të Shoqërisë “Drita” për mësimin shqip Nikoll N. Naço-Korça nga prindër prej qarkut të Pogradecit, tregëtari i math Grigor Goda, arkëtar i shoqërisë për një kohë të gjatë, i cili me rreptësinë e llogaritarit dinte të pajtojë kurdoherë një liri të arësyeshme nisjative kur ish fjala e përkrahjes së një anëtari nevojtar po të vlefshëm për nderin e atdheut, Jani Danga prej Postènani, psalt vetëdashës i parë i kishës shqipe bashkë me psaltin vetëdashës të dytë Zisi Andrea Stavre, nipin prej vëllaj të Asdrenit. Jani Danga Postènani, që kish ëmbëltore luksi ku bënte porositë e ëmbëlsirave dhe te konfiturave pallati mbretëror i Rumanisë, u bë i vlershëm me të plotë për titullin e veteranit të Kollonisë aq nga shërbimi gjithnjë i gatëshmë ndaj çështjeve shoqërore, sa dhe me udhëheqjen vepëronjëse të komunitetit orthodhoks si kryetar, periudhë në të cilën u çqua në mënyrë të veçantë me mbledhjen e sumës prej katërqind e pesëdhjetmijë lei të Rumanisë për rindërtimin, pikturimin dhe pajosjen me tërë aparatin liturgjik dhe stolitë priftërore të kishës istorike dhe monumentore Më një ditë (Dintr’ o zi), e dyta falëtore kombëtare e shqiptarëve të Bukureshtit; ishin dhe këngëtorët e tjerë të korit, me vlera të ndryshme, në gjith atë lartësi patriotike si të lartpërshkruarit, dhe njëri prej tyre, për shëmbëll, nxori thikën si vetëtima dhe goditi pa asnjë fjalë për vdekje një grek nga të kryeqytetit rumun, vetëm e vetëm nga shkaku i thjeshtë se ky kuxoj t’i-a shajë Shqipërinë me rastin e një bashkëfjalimi në mes të rrugës...
Me kësi përbënjës të flaktë, përkundër punës së përditëshme me të cilën ishin zënë të gjithë siç u shënua në radhët e mësipërme, kori vijonte për të mbarë pa asnjë ndërkëputje, vijonte regullisht natën po dhe ditëve të Djela si dhe ndonjë të kremte rastore gjatë muajit. Vetëm një incident, incident i pamënjanuarshëm sepse i zakonshëm, i zakonshëm sepse i nevojshëm, i nevojiturshëm, nga nevoja, çqetësonte veshin simfonik të Kiriak-ut dhe zellin e gjithë këngëtorëve të tjerë- përveç dyve: Andrea Alilozi dhe Pandel Durmishi. Alilozi dhe Durmishi mirrnin pjesë pa asnjë përjashtim nër ushtërimet e korit, paraqiteshin dhe përpikësisht pas minutave që shënoheshin në orar, po që të dy vinin mbrëmanet si të lodhur nga tregëtimet e ditës dhe kishin dhe një zë fare të papërshtatur për kor; i pari me timbrin e trashë, me dridhje të panjëjta, turbullonjës- i dyti me kordhëzat e fytit përherë të ngjyrura, përherë të çakorduara; njëri nxirte një farë toni si një violi me tela të çjerra, tjetri si një pllakë gramafoni të prishur: Na bënin disonancë në këngë, më thotë Asdreni, gjer sa i ndalonte profesori. Po!- gjer sa i ndalonte vetë mjeshtri Kiriak; me qënë që, për qarjet e koristëve të tjerë, ata as që deshnin t’a dijnë kurrë; kishin gjetur kundër çdo ankimi një mprojtje stereotipike, dhe i-u përgjigjeshin shokëve me mëri: Pse? veç juve jini shqiptarë? Neve nuk jemi?! Dhe kori i tërë buçiste në gas...
Këta djem të mbëdhenj të kombit mbesonin- dhe kishin bindje të plotë- se, për të vetëmen cilësi të të qënurit shqiptar èdhe dyke mos pasur pajisjen sine qua non të një veshi muzikor- kishin të drejtë vetore të prishin vazhdimërisht harmoninë e një kori të tërë të një themelimi të vështirë dhe të paçmuarshëm, për hirin e të cilit Kollonija derthte të holla me duar plot, mbante me gjithë shpenzimet e ushqimit, të veshjes dhe të fjetjes priftin shqiptar, paguante veglat dhe notat dhe trikëmbshet muzikore, paguante sallën e koncerteve, shpërblente me shpërblim të rëndë mjeshtrin më të famshëm të artit koral rumun, dhe prishte qindëra mijë lei për rindreqjen, për pajisjen dhe përmbajtjen e kishës kombëtare në Rumani.
Kështu ka qënë, dhe është, dhe do të jetë, fati dhe rrëfimi dhe përralla, përgjithnjë dhe përgjithëmonë, e atyreve që bëjnë punën e mirë të njerëzimit në botë, punën e mirë të atdheut për Shqipëri:

Sic resurgit gloria Albaniae


Rreth flamurit të përbashkuar: himni kombëtar i Kollonisë shqiptare të Bukureshtit

Dhe kështu, me këtë çkëlqim therrorish dhe zemrash, kori shqiptar ndiqte qëllimin e tij dyke i lënë gjithë turbullesat pas. Përparimet bëheshin pa asnjë ndalim. Ato ishin të dukurshme. Sepse koristët dhe të ftuarit e të paftuarit e ushtërimeve dhe përsëritjeve shtoheshin dita-me-ditën, magjija e muzikës shtonte dëshirën e atdheut që kishte shkaktuar atë muzikë, dëshira e atdheut ritte dhe shumëzonte zellin për punë, fuqinë për durim të këngëtorëve, të cilët zjarmoheshin me të qënët shpesh aty në sallë vetërisht èdhe të patriotëve më të pasur të Bukureshtit.
Tashi orët e këngës, ato katër orë të pasmesditëshme gjer mbrëmanet më s’mjaftonin për korin, salla më s’gjykohej e përshtatur që tashi e tutje. U formua kori, u përdor me të plotë salla e parë për ushtërim, po tashi kjo nuk mund të kënaqte kërkesat e shtuara të organizatës. Ajo ndjeu nevojën që kori të ketë sallën e tij, Sala Transilvania, që ish botore për të kremte dasmash, mbrëmje valletore dhe çfaqje theatri, me zhurmën dhe lëvizjen e pambaruarshme të saj nuk dukej as fare e caktuar për kor. Ishte zgjedhur dhe pajtuar me të shpejtë përkohësisht, për të mos patur as më të voglën vonesë nër fillimet e para të korit. Dhe qiraja paguheshe vetëm për orët e shënuara të mbledhjes, paguante vetëdashërisht veterani Vasil Zografi dhjetë lei flori për një ndërkohë pikërisht të kufizuar midis orëve katër dhe tetë mbrëmanet, salla dyke qënë më tej, pas orës tetë, e zënë prej manifestimeve të rendshme të jetës qytetare. U ndje nevoja pra të bëhet një mbledhje postafat për çështjen e sallës, burrat anëtarë u mblodhë si përhera në Qëndrimin e shoqërisë më ora nëntë e një të katërt para mesnatës, u lexua prej sekretarit urdhëri i vetëm i ditës: për dobinë e korit kombëtar i cili përparonte me hapa gjithnjë më të sigurta, duhej gjetur një vënd ushtërimi më i përshtatur dhe më i posaçmë, që të ketë mundësi çfaqjesh të veçanta shtëpijake përpara mëmëdhetarëve, të ketë një lokal të përhershëm për korin - një sallë t’onën. Në këtë mbledhje u zgjoth dhe u vendos të mirret me qira, vetëm e vetëm për llogarinë dhe përdorimin e korit, një sallë e bukur dhe e madhe në Strada Izvor nr.16, që kishte shërbyer dhe më parë për një çështje kombëtare shqiptare, atje që ngritur zyra e shoqërisë Bashkimi, emër nënë të cilin rifilloj për të tretën herë vepërimin e saj Kollonija e Bukureshtit, pas ndarjes së bërë nga dy shoqëritë e para me njërajatrën, për zell të tepëruar kombëtar.
Zyrat e shoqërisë Bashkimi u parapëlqyen nga çdo vënd tjetër që hyri në bisedim, për shkak të një ndjenje atdhesore mistike të anëtarëve, pjesa më e madhe e tyre dyke qënë e mendimit se Bashkimi s’ish veç se Kollonija e gjithënjëshme kombëtare e Bukureshtit, nënë gjith atë trajtë organizimi shoqëror me përjashtim të emrit. Ish fryma vepëronjëse e Kollonisë, e lënë ardhësve për trashëgim. Ky trashëgim tashi duhej vazhduar. Dhe kështu kori u vendos në sallën e hapët dhe të pashme të Bashkimit, që kish pajtuar shqiptarisht, që kish përmbledhur në gjirin e tij të dy palët e vlershme të ndarjes vëllazërore.
Fillimi i punëve në sallën e re të korit ka qënë një e kremte shpirtërore jo vetëm për koristët, po dhe për pjesëmarrësit shqiptarë dhe të huaj të ftuar me rastin e përurimit. Sepse aty u këndua për të parën herë botërisht nënë udhëheqjen e profesorit Kiriak marshi i Asdrenit Ejani sot, o Shqipëtarë, dhe përshtypja dhe dobija politike patnë qënë nga më të mirat, nga më të përshtaturat, me bujën dhe propogandën që shkakëtuan reth çështjes kombëtare.
Punimet e korit vazhdonin që tashi e tutje me një hov të papërmbajtur. Aq, sa profesori Kiriak më s’ndjente nevojën e udhëheqjes në çdo ushtërim ose në çdo përsëritje. Prej disa tregëtarëve dhe bijve të tyre të thithur më të shumtën e kohës nga ryma e jetës ekonomike ne kryeqytet dhe përqark, mjeshtri filoshqiptar kish krijuar, ashtu si me-dashje-pa-dashje, një trumbë virtuozësh të përsosur në artin e tyre. Shpesh herë Kiriak-u mungonte nga mbledhja dyke mos patur as më të voglën përkujdesje rreth vajtjes së ushtërimeve, e siguronin për këtë nënëkryetarët e korit, të cilët ishin, sicilido prej tyre dhe në pjesën e detyrës që i përkiste, si disa drejtorë më-vete të degës, si disa Kiriakë të dytë krejtësisht të pavarrur nga mjeshtri i math. Ky mundte tashi t’i kushtohet përsëri me gjithë fuqinë e duhur korit të tij të shoqërisë Karmen, ku punët ishin shtuar shumë me mungesat e bëra në gji të korit shqiptar. Dhe me qënë që këngëtorët shqiptarë më s’ndjenin, medoemos, nevojën e udhëheqjes së profesorit rumun, dhe dyke qënë ay i ngarkuar me punët e shumta të korit të tij, porositi dhe la si përfaqësonjës atë më të mirin nxënës që kishte, zbatonjës i përpiktë i koncepteve të mjeshtrit.
Ishte një djalë i ri njëzetepesë-vjeçar, i qojtur Ionesku, i cili e zotëronte korin me përsosje dhe qe specializuar për këngët korale të kishës. Këto ishin dega e tij, po Kori Kishëtar shqiptar i Bukureshtit nuk u pat bërë aq shumë për nevojat e kultit në çfaqjen e tij të ngushtë, sa për qëllimin e lartë dhe të ndritur të çështjes kombëtare. Ishte një themelim, ku nënë pamjen ngritëse të fesë zemra rëgëtinte mi krahët e lehta të këngës dhe të muzikës, dhe përmi krahët e muzikës mirte fluturimin drejt idealeve të Rilindjes së atdheut. Dhe nga ky skak profesor Ionesku, përveç këngëve kishëtare shqipe të korit, i-u mësonte nxënësve shqiptarë shpesh herë dhe këngë popullore rumune si dhe marshe patriotike, që të mundin këta të ushtërohen në këndim dhe në harmoni për vjershat e vjershëtorëve të tyre.
Nër të këtilla raste i-u këndonte Himnin kombëtar të Rumanisë Mi flamurin t’onë - fjalë prej poetit Ioan Barsan, muzikë prej kompozitorit Çiprian Porumbesku.
Dhe një ditë, kur i gjithë kori së-bashku këndonin këtë himn që me zërin dhe me shprehjet dhe kuptimin e tij patriotik pëlqehej shumë nga koristët pa përjashtim, këta, të rrëmbyer siç ishin prej enthusiazmës së çasit, i-u lutnë Asdrenit në mund të bënte edhe ay fjalë të përshtatura me atë melodi, që të këndohej prej korit dhe një himn shqip, t’a bënin atë himn shqip, t’a shqipëronin.
Veterani Asdren nuk qiti zë atëhere sipas zakonit të naturës së thjeshtë që ka, po pas disa ditëve, në mbledhjen e dytë ose të tretë, ose paraqit me himnin e bërë shqip gati nënë titullin Rreth flamurit të përbashkuar.
Nuk përshkruhet dot hovi i zjarrshëm i zemrave, me të cilin u prit ky lajm i bukur i pregatitjes së himnit. Pa e mbaruar së recituari me gojë Asdreni, një anëtar i rrëmbyer i-a hoqi vjershën me padurim nga duart e vuri shpejt mi një trikëmbsh në mes të sallës, dhe së-bashku me koristët e tjerë, me të ndodhurit e mbledhjes dhe me profesorin Ionesku në orgë, e ekzekutuan himnin herë të panëmëruara dyke u familiarizuar me fjalët e reja të muzikës së mirënjohur që në përsëritjen më të parë. I-u ndihmonte shumë në këtë veshi i mësuar me notat e mallëngjyera të melodisë rumune, me anën e së cilës kompozitori i bujshëm dhe i famshëm ka përmbledhur dhe përqëndruar gjithë interpretimin e shpirtit të kombit të vet nër vetëm dy fraza muzikore kryesore me vetëm një ngritje dhe një rënie të drejtpërdrejtëshme dhe të rëndë, ashtu sikundër e kërkon, përgjithërisht, psikologjija simpliste e popujve ballkanikë të kryengritur pas qindëra vjetësh robërije së përvajtuarshme.
Dhe himni harin të bëhet kësisoj Himni Kombëtar i Kollonisë së Bukureshtit, që përfaqësonte Shqipërinë në atë vënd mërgimi aq të djegur për atdhe, dyke u bërë zakon të këndohet regullisht përpara dhe pas çdo ushtërimi të korit.
Pa dyshim, vërtet pa dyshim- sepse nuk duam këtu të bisedojmë, po duam të nxjerim përfaqesh thelbin, thelbin origjinal shqiptar që na intereson në këtë çështje- pa fare dyshim pra dhe bisedimi që himni i Asdrenit pati patur si shtytje të përjashtme të gjenezës së tij fjalët e Barsan-it dhe muzikën e Porumbesku-t. I-u përgjigjeshin ato shprehje dhe ajo melodi drejt-për-së-drejti ndjenjave patriotike të të gjithë koristëve shqiptarë si eksponentë për bukuri që këta ishin, jo vetëm të Kollonisë së Bukureshtit, po vetëkuptimërisht dhe të çdo shoqërije ose bërthame tjetër shqiptare nër qytetet e ndryshmë rumunë; këto lidheshin shpirtërisht, dhe, kurrë pa asnjë përjashtim, dhe aq më shumë lëndërisht, me qëndrën e tyre përfaqësonjëse të kryeqytetit, ku mirnin pjesë aktive me delegatë të veçantë nër gjithë manifestimet e rëndësishme- manifestim i rëndësishmë për ta dyke qënë dhe më i vogëli vendim i Kollonisë për ndonjë punë të pëlqyer atdhetare. I përgjigjej kënga e poetit Bërsan ndjenjës së shqiptarëve, dukej sikur të ish bërë ajo enkas për mallin e zemrës së tyre, mirë kështu, kësisoj ngjante pamja së-jashtmi- po në të vërtet si ishte gjindja shpirtërore e atyre veteranëve në brëndësirën e saj, në fundin e fellë të saj përpara dëgjimit të asaj kënge, përpara dhe shtirjes së themeleve të shoqërisë së Kollonisë shqiptare të Bukureshtit?
Përpara së të ish kënga, ish ndjenja e mëmëdhetarëve dhe ish nevoja e tyre për organizim, për çdo mjet që mund t’a shtynte një hap më përpara veprën e filluar. Ajo ndjenjë shqiptare përmblodhi atë kolloni, ajo kolloni bëri atë shoqëri shqiptare, ajo shoqëri atë shtypshkronjë shqiptare, atë fletore shqiptare, atë shkollë shqiptare, atë kishë dhe xhami shqiptare, atë Kor Kishëtar shqiptar, dhe ky kor desh tashi, midis himneve dhe përlavdurimeve të Zotit në gjuhën shqipe, edhe këngën e tij kombëtare, Himnin e Shqipërisë, Himnin e flamurit shqiptar.
Ndjenjat e djalërisë janë të shpejta, të zjarta, të forta, të papërmbajtura, ato s’janë ndjenja po janë hov enthusiazme që buçet dhe që do përnjëherësh sendësimin e qëllimeve të saj. Sendësimi i njërit nga qëllimet e saj të shenjta që ish himni shqiptar, fjalët shqip të himnit të mirënjohur, trumba djaloshare e korit i-a kërkoj në një ças flakërimi shpejt Asdrenit, i ri dhe ay atëhere në lulen dhe në fuqinë këngëtore të jetës, dhe vjershëtori kombëtar i kollonisë e dorëzoj himnin e punuar mirë-e-bukur shqip pa asnjë vonim, që në njërën nga mbledhjet më të para të pastajme të shoqërisë.
Me ç’kriter e bëri Asdreni himnin, ç’përkëtheu, ç’përshtati, ç’lokalizoj, ç’krijoj- këtë do t’a shohim në radhët e arthme. Tashi këtu më parë duhet të sjellim në riprodhim të dy himnet, për t’u udhëzuar themeltarisht pas teksteve gjatë këtij vështrimi mburimor.

MI FLAMURIN T’ONË
(përkëthim) Ioan Barsan

Mi flamurin t’onë është shkruar bashkim,
Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,
Dhe nënë hijen e tij të madhërishme
Do përballim çdo goditje.


Në luftën e rëndë trembet ay,
Që vetë është mëndje-arratisur,
Po ne të bashkuar në çdo kohë
Do jemi, do jemi mundës.

E armatosmë dorën t’onë
Që të mpruajmë një vënd të shtrenjtë,
E drejta jonë është zotëronjëse,
Dhe qëllimi ynë i shenjtë.

Dhe në librën e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin,
Po Rumanija jonë e shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë.

RRETH FLAMURIT TË PËRBASHKUAR
Asdren

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë-e një qëllim,
Të gjith atje duk’ i-u betuar
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Në dorë armët do t’i mbajmë,
Të mprojmë-atdhenë më çdo kënd,
Të drejtat t’ona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vënd.

Se zoti vetë tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhè,
Po Shqipërija do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.

O flamur, flamur, shënjë- e shtrenjtë,
Tek ty betohemi këtu
Për Shqipërinë- atdhenë-e shtrenjtë,
Për nderë- edhe lavdimn’ e tu.

Trim burrë quhet e nderohet
Atdheut kush i-u bë therror,
Përjetë ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një dëshmor.

Dyke patur para syve tekstet e himneve, origjinalin dhe të Asdrenit, shpëtojmë piksëpari nga një rezik ngatërronjës për atë që i bje mi krye dhe të cilin, për sa i përket rrahjes së kësaj çështjeje në Shqipëri, po e quaj me këtë rast rezik letrar shqiptar.
Ç’është ky rezik letrar shqiptar, rezik ngatërronjës?
Është reziku që e ze pa asnjë shpresë shpëtimi bisedonjësin e sipërfaqshëm të problemeve mburimore letrare në Shqipëri; bisedonjësin, që i përvishet një problemi pa qënë më parë se të gjitha i orientuar plotërisht mi orizontet e gjëra dhe mburimet e fella të atij problemi- pa e zotëruar siç i thonë problemin. Dhe përfundimi është i pamunguar sepse i arësyeshëm: ngatërresa e njeriut pa kompetencë.
Tekstet e krahasuara, na flasin me një gjuhë të kulluar. Nga të gjashtëmbëdhjet vargjet që përbëjnë katër strofat e origjinalit, vetëm tre vargje të plota dhe dy të tetat e dy vargjeve të tjera janë përkëthyer shqip drejt-për-drejt me fjalë përgjigjëse, vargjet e mbetura jashtë këtyre, domethënë pesë nër trembëdhjetë, dyke qënë të shkrira në lokalizim ose të përshtatura brenda ndjenjësisë dhe mendimësisë së posaçme shqiptare. Anasjelltas dhe përgjithërisht, pothuajse krejt gjysma e poezisë rumune: dy strofa pa një varg nga të katrat që e përbëjnë, ka humbur fare, e ka lënë fare pas dore, fare prapa dore modelin e vet nënë pëndën e Asdrenit, dhe aq nga fjalët sa dhe nga brëndësira dhe toni shpirtëror poeti veteran e ka shqipëruar vetëm dyke marë parasysh atmosferën e atëherëshme të Rilindjes; dyke nxjerrë në dukje vlerat e shpirtit të gjithë një kombi të kapur dhe të dehur nga ndjenja e lirisë, nga afshi i math i atdhedashurisë; dyke përdorur gjuhën e kryengritjes, shprehjet, fjalët, parolat tipike të fshehura dhe të çfaqura të shoqërive dhe të çetave kombëtare.
Kjo ngritje, ky çlirim i shqipëronjësit shqiptar nga origjinali- që nga vargjet e para të përkëthyera gjer në vjershërimin patriotik të fundit- ishte aq e naturëshme, aq e thjeshtë- pra dhe vetvetiu e pakuptuar, sa ay e përvetësoj instinktërisht gjithë idenë dhe çfaqjen e himnit të transpozuar dhe të transformuar si më sipër, dhe krijoj nga vetëvetja e tij, pas rrjedhjes dhe rithmit dhe kadencës ndjenjore të atij himni po dyke i dhënë një dinamizmë përfundimtare të të nevojshme në mbarim, të dy strofat krejt asdrenore të këngës për hirin e të cilave ajo duhej qojtur edhe tashi pasonjësisht, sikundër u qojt me mirënjojtje që në fillim nga brezi bashkëkohas: Himni i Asdrenit:

O Flamur, Flamur, shënj’ e shenjtë,
Tek ty betonemi këtu,
Për Shqipërinë- Atdhenë-e shtrenjtë,
Për nder’ edhe lavdimn’ e tu!

Trim, burrë quhet e nderohet
Atdheut kush i-u bë therror,
Përjetë- ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor!

(Betimi mi flamur- Asdren, Ëndra e Lote, Bukuresht 1912)

Unë -më thotë Asdreni me fjalën e tij shumë të thjeshtë- passi pashë se i përgjigjet ky himn ndjenjave t’ona patriotike, edhe dyke mos pasur ay përfundimin e duhur të fuqishmë, krijova dy strofa të tjera, të fundit, që atij i mungojnë dhe që i-a shtova për t’i dhënë një mbarim më dinamik.
Sa rëndësi i-u ka dhënë Asdreni këtyre dy strofave të fundit të krijuara me qëllim prej tij dhe që duket sikur mbajnë tërë thelbin kryengritës që ay i dëshëronte modelit të pamjaftuarshëm për rastin shqiptar, ne mund t’a kuptojmë nga titulli kuptim-plot, Betimi mi flamur, nënë të cilin e botoj shqipërimin e himnit në librën Ëndra e Lote. Ky titull, betimi mi flamur, na kujton që në leximin e parë të dy vargjet fillonjës të pjesës origjinale të himnit, me të cilat na lidh drejtas, pa asnjë ndërmjetësim, si me mburesën e vetëkuptuarshme të tij:

O Flamur, Flamur, shënj’ e shenjtë,
Tek ty betonemi këtu...

Vargjet dhe strofat e para që i përgjasin modelit kanë arësyen e tyre më vetëhe, ato u pranuan pa vajtur mëndja fare për kontrollim dhe shoshitje jo vetëm nga ana e këngëtorëve të korit që e dëshiruan himnin, po gjithashtu dhe me më shumë kuptim prej Asdrenit vetë, me qënë që fryma e tyre, si e tërë himnit, i përshtateshe përpikërisht gjendjes s’onë së atëherëshme të robërisë, zënies fill me aq dritë dhe me aq hov patriotik për të shpëtuar nga vargonjtë e asaj robërije. Kur u bë himni shqip në rethanat që treguam më sipër, rronte dhe zotëronte me plot fuqitë e tij sulltan Abdul Hamiti në Stambollin e famshëm, nuk mendonin shqiptarët se do krijohet dhe aq shpejt Shqipërija, as shqiptarët as udhëheqësit veteranë të tyre nëpër kollonitë e ndryshme të mërgimit; i këtij mendimi qe dhe kollonija e madhe e Bukureshtit, e cila çquhej me të drejtë si qëndra e gjithë kollonive të jashtme të tjera, si veteranja e veteraneve nga shoqet e saj. Kryetarët shqiptarë e filluan lëvizjen e çlirimit me një perspektivë kohe mjaft të gjatë, përspektivë prej më shumë dhjetëvitëresh, passi populli të ishte pregatitur nga kultura dhe nga drita istorike për t’u ngritur me themel gjer në ndjenjën e domosdoshme dhe të përgjithëshme të vetëdijes së tij kombëtare. Vetëm rëkëllimi i shpejtë i ngjarjeve e nxitoj harritjen e vetëqeverimit dhe të mëkëmbjes shtetore të dëshiruar. Ku e dinim ne- më flet gjithnjë veterani Asdren mi këtë punë- se do bëhet aq shpejt Shqipërija me një Turqi të fortë!. Dhe fjala e tij e urtë pa pretendime, përforcohet vetiu në të vërtetën e fakteve të mbaruara.
Dyke mos qënë Shqipërija më-vetëhe, kuptohet sheshit se himni nuk u shqipërua prej Asdrenit me qëllim pan-shqiptar, me paramendimin që ay të mbajë mi supë peshën sa të rëndë aq dhe plot përgjigjësi të një himni kombëtar zyrtarisht të shuguruar. Ay grup djaloshar i Bukureshtit e përvetësoj himnin ashtu siç e gjeti, siç i-u parashtrua, dhe në qoftë se kopja e larguar prej origjinalit në drejtim të një ideologjije së nevojshme shqiptare, në u ngrit ajo me sulm të vetin, për hir të kushteve kombëtare të veta, sipër bazës nga e cila mori fluturimin, kjo i detyrohet me mirënjohje vjershëtorit Asdren që ashtu pajosi dhe me shkronjën e bukur të origjinalitetit vetor një poezi vetijash dhe rrethanash aq të vështira.
Sikundër fjalët -me rezervat e sipërshënuara-, ashtu përvetësuan ata këngëtorë dhe melodinë e himnit, të kompozuar siç pamë enkas prej muziktarit rumun Çiprian Porumbesku. E përvetësuan dhe e lanë ashtu të paçikur, dyke menduar se me ndryshimin më të pakët ajo nuk do kishte më efektin e duhur në këndim për shqiptarët e Rumanisë, në radhën e parë për të rinjtë, të cilët ishin mësuar njëlloj si dhe veteranët më pleq po me atë melodi për t’i nxitur bashkëkombasit në flakën e atdhedashurisë.
Dhe himni në këtë mënyrë i shqipëruar, i ngjitur dhe mi krahët e lehta të muzikës fluturonjëse, u vendos të shpihet me qëllim përhapjeje në Korçë- qëndër dhe zemër e kollonive kombëtare, mëma e kryevatrës së Bukureshtit.


HIMNI I FLAMURIT DREJT UDHËTIMIT TË TIJ KOMBËTAR PANSHQIPTAR 

Zgjedhja e Korçës si qyteti kryesor ku duhej bërë i njohur dhe përhapur himni, ka domethënien e saj shumë të veçantë në vepërimin atdhetar të kollonive, në radhë të parë për kryevatrën e Bukureshtit nga gjiri i së cilës dhe kish marë lindjen dhe udhëtimin ajo këngë flakëronjëse.
Të mërguarit shqiptarë të Rumanisë, ata në Egjipt, Bullgari, Europë, Amerikë dhe Rusi, jo vetëm që në një përpjesëtim të rëndësishmë ishin nga vetë qëndra e qytetit të Korçës me pasanikët e mbëdhenj që shpesh herë kryesonin shoqërinë, po dhe gjithë ata që vinin nga qarqet e afërta ose të largëta, si për shëmbëll krahina e Pogradecit me mokrarët dhe gorarët besnikë të Nikoll Naços, themelonjësit siç u kujtua më sipër të të së parës fletore shqipe në Rumani më 1888 dhe të së parës shkollë normale shqipe më 1892,- i tërë ky varg shqiptarësh të njohur dhe të panjohur të cilët shërbenin me kushtim në falëtoren e kombit të vet, kishin për zakon të quhen me mburrje korçarë, korçarë për shumë arësye, përmi të cilat qëndronte ajo e çkëlqimit të Korçës si element kombëtar në krye të rretheve të Toskërisë ku ish filluar dhe po hiqej pa lodhur vallja e madhe e Rilindjes shqiptare së vetëdijëshme. Nikoll Naçua, nga prindër prej maleve të Pogradecit, pronjar sipërmarrës i math dhe patriot i flaktë i Misirit, që kish vrarë me dorën e të - nipt- Vangjel Naço- konsullin grek në Mansurë për çështje kundërshtimi kombëtar, udhëheqës plot vepërim dhe dinamizmë i shoqërisë së tij së famshme Drita të Bukureshtit gjatë njëzetenëntë viteve të palodhura që më 1884 gjer në shtratin e vdekjes 1913, paraqiteshe zyrtarisht për propagandën, artikujt, pamfletet, dhe broshurat e tija me emrin e mburrur Nikoll N. Naço-Korça; doktor Spiro Maçuka prej Boboshtice, kryetar i shoqërisë së kollonisë së shqiptarëve të Rumanisë në Bukuresht prej vitit 1922 e me këtej, i çquar për merita me dekoratë prej qeverisë, i theshte vetes kudo dhe në çdo ngjarje korçar; Jan Danga i Postènanit, psalti i parë në kishën shqipe, anëtar i Korit Kishëtar dhe kryetar i Komunitetit Orthodhoks kombëtar të Bukureshtit, thuheshe përpara syve të botës gjithënjë korçar; korçar ish Kristo Luarasi që u shpërngul nga Bukureshti në Sofje për punimin e tij të paçmuar në shtypëshkronjën Mbrothësija; korçar dardhari Sotir Peci që shërbeu Shqipërinë dhe nderoj katundin e tij lindjak me zemër të pastër dhe me karakter të pathyer gjer në vdekje në arrati: korçar me plot dëshirë, aq sa qe vetë korçar korçari Thanas Tashko, kryeveterani i kuximshëm, i papërmbajtur dhe i pathyer në Faium të Egjiptit, i cili pat lënë pas, si trashëgim të pasurisë së prishur për mëmëdhenë, një familje të shtuar pa strehë shtëpiake dhe një pjellë delikate të shumëdashuruar që është bija e tij Teftë Tashko, sopranoja korçare e ëmbël e kryeqytetit.
Rezet e dritës të lëshuara rreth-e-përqark, gjer në fshatin më të mënjanuar, prej kësaj qëndre shpirtërore të Toskërisë, i këthehen kësisoj prapë me mirënjohje dyke i-a dyfishuar ndriçimin dhe prestigjin me anën e kushtimit të bijve të saj më të afërm dhe më të largët.
Dhe kësisoj pat sjellë, një shëmtë parë po jo më të parën, dhe m’i madhi vjershëtor i Rilindjes që brënda atdheut për Korçën Naim Frashëri, shëmbëll e cila përlavduron me të drejtë njëkohësisht autorin dhe qytetin traditor shumëmerituar te Jugës. Është adhurimi i kombit, i parasjellë në altarin e falëtores së Dërgimtarëve të tij nga më të parët:
Lumja ti, moj Korça-lule,
Q’i le pas shoqet e tua:
Si trimi në ballë-u sule,
T’a paçim përjetë hua!

Në këtë Korçë pra, fole therrorije për ndriçimin kombëtar, në Korçën-plakë, u menduan kolloniasit e Bukureshtit të dërgojnë himnin e shqipëruar dhe të kompozuar gati.
Ishte viti 1908, ndërkohë gjindej aty atdhetari Tashko Ilo, një nga shokët e pasionuar të korit, si dhe poeti kryengritës Hil Mosi që kish ardhur në gji të kollonisë pak më von po gjith më 1908. Tashko Ilua përzjehej me zemër nër punët shqipe të shokëve të tij të tjerë, kurse Hil Mosi, që bënte dhe vjersha kombëtare, i sillej afër më shumë Asdrenit si përfaqësonjës poetik i kollonisë që ky kish filluar të nëmërohet veçanërisht prej zyrtare të botimit të librës Reze Dielli në Bukuresht më 1904, me parathënien e shkruar që më 1903.
Anëtarët më të nqasur me jetën vetore të Asdrenit e njihnin dhe më parë nga dorëshkrimi atë parëthënie, ku shënohet posaçërisht dobija e të pasurit të disa përkëthimeve nga këngët e huaja në gjuhën shqipe.
Miqësija e Hil Mosit me Asdrenin duket çiltazi dhe nga vjersha kushtonjëse që ka bërë Hil Mosi me rastin e endjes së tij nëpër Drenovë, katundi i freskët lindjak i Asdrenit, i frymëzuar për një kujtim të përmallshëm ndaj shokut të letrave pranë një kroj mërmëronjës: 

“Ktu, afër ktij burimit...”;

ngjatjetim në të cilin vjershëtori i kollonisë së Bukureshtit i-u përgjigj me zemër të prekur dhe me vargjet e një rithmi iambik shumë hijerëndë:

“Sokol, o zog sokoli!...”

Këta të dy lajmëtarë të lehtë dhe të shpejtë të kollonisë i muar me vetëhe partiturat e himnit të bëra imtësisht gati me fjalë shqip- ato i mbante Hil Mosi- dhe i suall të gëzuar dhe kryelartë në Korçë ku fillonte hapin e parë qëllimi atdhesor i tyre.
Atëhere ishte shpallur përgjithërisht në Shqipëri koshtuta turke, dhe shqiptarët nga gjithë anët e organizatave të tyre në mërgim sulmonin atdhenë me një mijë lloj mënyrash propagande sgjuanjëse. Nga më të bukurat dhe më të bujëshmet vepërime të kollonisë së Bukureshtit, që si për herën e parë ashtu dhe tashi qëndronte në ballë të simotrave të saj të kudoshme, ishte ky vendimi i dërgimit dhe i përhapjes së himnit në Korçën disi të çliruar- atëhere simbol flamurtareje midis gjithë qyteteve të lëkundura prej marrjes frymë shqiptare.
Të dy kasnecët qëndruan në Korçë vëndërisht, Tashko Ilua në shtëpi të tij dhe Hil Mosi ne shqiptari i math Jovan Cico Kosturi, si nëpunës-llogaritar. Këtu në qëndrën e Toskërisë ku u rrah kaq herë mirë e paq mes valave të risgjimit, ay e ndjente vetëhen si në vatrën e vet lindore. Me Pashko Vasën dhe Filip Shirokën ay përbën trishin e pavdekur shkodran, që u pagëzua më së miri dhe u shpirtëzua e vepëroj në mezin dhe prej mezit të kollonive kryesisht toskërishte të mërgimit: Pashko Vasa në Stamboll, Filip Shiroka në Egjipt, dhe Hil Mosi në Bukuresht. Dhe kjo mbrujtje me frymën toske të Rilindjes, që është një frymë gazmore, e shpejtë, vepëronjëse, e bënte Hil Mosin- rëndë të pajosur nga natura me burrëri stërgjyshore- të hidhet i gatishmë kudo që bëhej një lëvizje patriotësh, kudo që plaste një kryengritje shqiptare: sikundër e ka pavdekësuar për hirin e këtij vepërimi të tij të shpënë gjer në pragun e therrorisë trupore At Fishta, në këngën e Ded Gjo Lulit të lahutës:

Lum për Ty, o i Lumi Zot,
Se ç’ka krisun n’at Deçiq,
Idhtë tue u gri turq, Grudë e Hot,
M’pushkë, m’singija edhè me klliç!
Kamë për kamë, por me malcorë,
M’Deçiq rra ka ‘i djalë i ri:
Qaj Hil Mosi, pushkën n’dorë,
N’parsme flamurin “kuq e zi”.
Se ky Hila, djalë shkodranë,
Per liri të ksajë Shqypnije:
Mbathë a dathë, ngranë e pa ngranë:
T’rit e jeten ba kisht’ flije!
Gjindja ashtu sa i’n tue u coptue,
Tuj u ba ata paçariz,
Asht turrë djali e t’ka flakrue,
Porsi gjarpen, mu n’mjedis;
E tue i dhanë aj zjarm “alltis”
M’ nji “manov” vjellun nga Azija,
Zhvillon flamrin e Shqypnis
E vrret t’madhe: Rrnoftë Shqypnija!

Dërgimi i himnit në Shqipëri me anën e Hil Mosit ka qënë një fakt i rëndësisë më së parë për shoqërinë e Bukureshtit, dhe një ndodhje fatmirë për çështjen kombëtare. Sepse Hil Mosi që në atë kohë patrioti më i shënjuar që të plotësojë një detyrë aq të lartë po dhe aq të mbushur me vështirësi, të mbushur me njëqind vështirësira siç isht përhapja e himnit. Përhapja parashikonte në krye të të gjithave mësimin e këngës, që duhej bërë prej një njeriu të aftë dhe të përshtatur i cili për veç talentit muzikor të domosdoshmë të zotëronte dhe mjeshtërinë e mënyrave të njëmijëllojshme për të tërhequr miqësinë- për të fituar simpathinë dhe besimin e atyre që do t’a nxinin himnin me qëllim përhapjeje. Dhe Hil Mosi qe pajosur për bukuri me këto cilësira të nevojitura të rrethanave të kohës. Me burrërinë hijerëndë të vëndlindjes veriore, të trashëguar nga atavizma e fisit, ay kish përvetësuar siç u tha më sipër dhe naturën e tij të dytë gazmore, shoqërimtare, të hepurshme, të bashkëjetesës me elementin tosk, aq e duhur për vepërim dhe ndikim në gjirin e turmës. Aq më tepër kur kjo turmë, nërmes së cilës duhej vepëruar, është lehtë e ekzaltuarshme po dhe kryefortë sepse fare e pavarrur në mëndësinë e lirë të vendimeve të saj.
Hil Mosit i pëlqenin këngët shqip, të cilat i këndonte ditën si dhe nër nete ay vetë, sepse kish edhe zë të mirë. Disa këngë shqip të kënduara brenda rretheve ku mblidheshin mëmëdhetarët në Korçë ishin të futura prej tij, nga ndonjëherë me tekst të improvizuar midis enthusiazmës. Kështu këndohej vjersha Drenova- e kushtuar siç pamë Asdrenit- dhe në këndim-e-sipër këngëtorët ndizeshin ca më shumë në strofën e fundme të saj ku ishte fjala për atdhe:

“Ktu, prane kishs tuj ndejun,
Shof fshatin ku kè lè;
Sesa nji fshat i bukur!
Sa i dashtun ky atdhè!”

Këndohej dhe kënga e tij që fillon me vargjet:

“Male dhe fusha ushtojnë sot,
Zëri- i atdheut po digjohet”,

e bërë enkas për Bandën e Lirisë në Korçë, trupi i së cilës më 1909 përbëheshe prej 25 vetash, me flikorn, pistone, base, kundërbase, një fyell, dy daullka dhe katër gërneta.
Për sa i përket melodisë së këngëve, autorët e tyre si dhe populli nuk çanin kryet dhe aq shumë për origjinalitet ose huarjes; i-a ngjitnin zërin këngës siç i-u tekej se vinte më mirë dhe atje ku e gjenin, nër këngët e tjera ballkanike ose evropjane: përsëritnin dhe ata një fenomen të përbashkët në procesin e përhapjes së këngëve popullore të melodijuara- të përbashkët dhe me kombet më të mbëdhenj të botës: melodinë e një kënge, qoftë dhe së huaj së vet siç mirnin dhe vjershat e poetëve të kohës, të rastit, vjersha kulte më shumë ose më pak, dhe i këndonin, i-u ndryshonin tekstin sipas kujtesës dhe nevojës, pas një intuite intime të ligjës së poetikës popullore.
Kjo ngjau dhe me himnin e Asdrenit:

“Rreth flamurit të përbashkuar”,
“Pranë flamurit të bashkuar”,
“Flamurit pranë të bashkuar”,

që të trija këto varijime, të bëra prej popullit këngëtor, janë, për këtë, të njëvleftëshme. Populli desh të këndojë këngë shqipe me çdo mënyrë, e mori tekstin e këngës atje ku e gjeti, e ndryshoj siç i ardhi më mirë dhe më lehtë në vetëdije, dhe më në fund e zëvendësoj vargun origjinal:

“Rreth flamurit të përbashkuar”

me vargun e vet popullor siç këndohet ky në përqindjen më të madhe prej të gjithëve dyke mos u përjashtuar krejt as elementi shkollor:

“Flamurit pranë të bashkuar”...

Dhe fjalët e himnit Hil Mosi i pëlqente tërësisht, Asdreni atyre i-u ka dhënë mjaft shkëndija nga shpirti kryengritës - theshte - dhe i pranonte për nga melodija se kishin -siç e theksonte rastërisht- gjithë mallëngjimin dhe rrëmbimin e naturës së popujve të Ballkanit ku mirrnin pjesë dhe ilirasit shqiptarë.
Nga shkaku i Koshtutës turke së shpallur, ishte dhe pak si liri në atdhe, midis këngëve shqipe që buçisnin nër rrugët e Korçës kish filluar tashi të dëgjohet për-së-pari edhe kjo këngë e re e himnit, e sjellë prej të dy lajmëtarëve të Kollonisë së Bukureshtit. Kish të drejtë veterani shkodran me gjykimin e tij për fjalët dhe për muzikën e himnit; aq i përshtateshin ato, përpara çdo gjëje fjalët, çështjes së kohës për liri, sa ajo këngë e re u flakërua me të shpejtë si rrufeja nëpër popull, u flakërua pastaj populli përmjet saj si një zjarr i vetëm me ndjenja patriotike, edhe më në fund, me anën e vepërimit shumë të gjallë të liridashësve nër krahinat shqiptare, himni dyke filluar nga Korça u përhap pas fare pak kohe nëpër gjithë Shqipërinë.
Me gjith që ishin përkëthyer shqip edhe himne të tjera, si marshi i Bullgarisë (himni kombëtar bullgar) Shumi Marica, marshi i Greqisë (himni kombëtar grek) O ligjiron qe kopteron spathi mu dhe marshi i Francës (himni kombëtar frëng) La Marseillaise - që gjinden në këngëtoren shqipe të shtypëshkronjës Albania të Konstancës-, prapë këto përkëthime nuk mundnë të zenë vënd në Shqipëri për t’u kënduar, ashtu siç zuri vënd dhe rrënjë himni Pranë flamurit, që i përshtateshe aq nga trajta sa nga brëndësija dhe nga fryma rilindëse kohës shqiptare së atëhershme.
E thamë aty më sipër se, kur u bë himni jonë i flamurit, kujt mund t’i shkonte ndërmënd se do krijohej dhe aq shpejt Shqipërija, kush mbesonte se në atë kohë kur perandorija otomane ish èdhe e fortë ky himn do të zerë vëndin e një himni kombëtar! Me fjalë të tjera himni nuk u pregatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit. Këtë gjë nuk e mendonte asnjeri prej atyre që hodhë, spontanërisht, shkëndijën e parë, ose prej të tjerëve që bashkëpunuan në sendësimin dhe krijimin e himnit: aq më pak Asdreni- shprehja vjershëtore e dëshirës së përgjithëshme.
Dhe në se himni u përhap në tërë Shqipërinë dyke zotëruar zemrat shqiptare, kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroj ay ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shenjtëroj dyke e dashuruar me zemër gjer në therrori dhe më shumë e më përtej vetëtherrorisë; i cili himn dhe e mbaroj punën e tij të thjeshtë që kish për të bërë, punën e tija ashtu siç qe ay- i vogël ay për një punë të madhe shqiptare: u bë Shqipërija! Po u bë dyke vojtur me buzëqeshje, dyke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbë: me himnin e saj kombëtar shqiptar. Me ‘Të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e atdheut, dhe vdiqnë vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me ‘Të u ngrit flamuri në Vlorë, dhe gjith me ‘Të u kremtua Njëzetepesvjetori i vetëqeverimit.




SHUGURIMI POPULLOR I HIMNIT TË ASDRENIT SI HIMN KOMBËTAR

Komisioni Qëndror për kremtimin e njëzetepesvjetorit të vetëqeverimit më 1937 kishte në planin e punëve, sipas parashikimit qeveritar, dhe çështjen pak si të vështirë të krijimit të një himni zyrtar të flamurit. Ajo çështje sillej më shumë rreth interesave të larta të prestigjit shtetor, sesa rreth një himni të ri të kombit.
Dyke qënë se populli kishte prej pothuajse tridhjet vjetesh himnin e tij -himnin e tij popullor- që thuhet himni i Asdrenit, kuptohet vetiu kundërshtimi i rezervuar asaj çështjeje. Aq më shumë se në gjirin e Komisionit Qëndror gjindeshin dhe veteranë të Rilindjes dhe nga ata që ishin ritur në frymën kombëtare të përvëluar të veteranërisë.
Me gjith këtë fakt, komisioni nuk u ndalua të formulojë vendimin për të bërë një himn të ri- një himn shtetor zyrtar-, dyke i-u përgjigjur nevojësisë së njëzëshme të vendimeve të atij areopagu, të parashikuara në regulloren e gjithë planit.
Për interesin e lartë kombëtar shtetasi duhet të bëjë shumë therrorira vetijake, edhe atë të jetës së vet, dhe kësisoj, vetëm kësisoj kuptohet sesi në vendimin e komisionit më 5 Mars 1937 për krijimin e himnit të ri fytyron dhe veterani Kol Rodhe midis anëtarëve të tjerë.
Dhe kështu, në mbledhjen e VIII më 30 Mars, në vazhdim të vendimit, shpallet një konkurs midis shkrimtarëve shqiptarë që ftoheshin të marrin pjesë për himnin e ri.
Mirë gjer këtu me këtë masë e cila mund të ketë arësyen e vet, problemi i bërjes së një himni tjetër dyke qënë një punë qeveritare.
Prej vendimit dhe gjer në zbatim, komisioni i parë qëndror për kremtimin e njëzetepesvjetorit të vetëqeverimit u zëvendësua me një tjetër, të dytë, i cili në vazhdim-e-sipër të detyrës së të parit botoj dhe një vëllim të posaçmë me tekstet e poezive për konkursin e Himnit të flamurit. Vëllimi (i titulluar Konkursi për Himnin e Flamurit, Tiranë 1937) mban në vënd Parafjale shkoqitjen me titullin pyetës: Pse u ndryshua Himni i Flamurit?. Nënë atë titull sillet (për sa i përket mendimit të këtij komisioni të dytë zëvëndësonjës) shkaku i ndryshimit të himnit me këto terma: “Pas bisedimeve të shumta që rrodhën në Komisionin Qëndror për kremtimin e njëzetepesvjetorit të vetëqeverimit dhe pas shpiegimeve të disa anëtarëve të këtij komisioni, që dijnë mirë letërsinë rumune, u konstatua se himni i sotmë i flamurit kombëtar është fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun...
Komisioni, dyke marë parasysh se pas njëzetepesë vjeteve jete së lirë vazhdimi i këtij himni është një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t’onë atdhetare, e pa të domosdoshme hartimin e një himni të ri”.
E lemë pas dore shprehjen e parë: që dijnë mirë letërsinë rumune, me qënë se ajo u ndreq prej vetiu me krahasimin e të dy teksteve- origjinal dhe shqipërim-; gjithashtu shprehjen e dytë: fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun, me qënë se, sikundër mundmë të shohim aty më sipër, tekstet e vëna përballë njëritjetrit dhe konstatimi jonë mi përpjesëtimin dhe raportin e elementeve të përkëthimit, adaptimit, dhe krijimit, përfundoj me sipërsinë e pjesës shqipe ndaj origjinalit në pikëpamje sasije fjalësh, vargjesh dhe strofash të shqipëruara ose të krijuara; prapë ashtu dhe fjala një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t’onë atdhetare pamë se del e një kuptimi të përkundërt- jo si një cen po si një mburrje- me fillimin e lavdishmë të himnit në gji të Kollonisë në Bukuresht, me përhapjen e lavdishme të tij në Korçë dhe nër gjithë viset e Shqipërisë, me veprën e tij atdhetare dhe kombëtare të lavdishme në frymëzimin, kurajimin dhe ngazëllimin e burrave të Rilindjes dhe të çetave të lirisë.
Dhe si qëndron pra puna me frymën e himnit, me frymën e apostullatës së tij shqiptare?
Që në mbarimin e mbledhjes së parë për bisedim dhe ndryshim të Himnit, passi u shpërnda dhe iku prej sallës Komisioni Qëndror ku bënte pjesë dhe shkronjësi i këtyre radhëve, veterani Kol Rodhe i shfaqi këtij, midis katër mureve në sallën e zbrazur, dhëmbjen e madhe që ndjente dykë dëgjuar një t’atillë bisedim, dyke konstatuar një t’atillë vendim. Dhe prej mbledhjes së parë gjer ne ajo e fundit kur u shpall konkursi dyke u zgjatur koha pothuajse një muaj, përafërsisht i tërë Marsi i vitit 1937, Kol Rodhja nuk pushonte së u ankuari, nuk gjente siç duket qetësi për himnin dhe për vendimet që mund të sendësoheshin, dhe shumë herë e zotëronte një dëshpërim rreth çështjes po pa e humbur kurajën për të vepëruar. M’ i theshte të gjitha -dhe unë e kisha për nder të math çdo fjalë të tij- në lokalin e Loni Dusha-s në kryeqytet dyke ndenjur shpesh të dy rreth tryezës mënjanë, dyke e përmbledhur arësyetimin e tij në fjalët, që mua më vinin posi një refren shumë i dhemshur prej atdhetari: ne jemi ritur, kemi vojtur, jemi vrarë me këtë himn, na ka hyrë ay që të gjithëve në zemër- si mund t’u ndryshuaka tashi?!
Me bindjen e një dishepulli të veteranërisë, për të cilin çdo fjalë nga goja e një veterani ka qënë një dhiatë kombëtare, e dëgjonja burrin atdhedashës të provuar dhe shpirti më mbushej me gëzim.
Arësyeja kryesore për të cilën Kol Rodhja kundërshtonte ndryshimin, ishte - siç më thesh - fryma shqiptare e himnit. Kishte të drejtë, një e drejtë kjo që vërtetohet me vetë fjalët dhe shprehjet e tekstit shqip, po në radhë të parë me qëllimin thjeshtësisht kombëtar të shqipëronjësit. Dhe kur pastaj prej Kol Rodhes dual të nënëshkruar artikujt në Gazetën e Korçës përkrah dhe me shënimet e Branko Merxhanit në të përkohëshmen Përpjekja shqiptare, të gjithë e drejtuan vërejtjen rreth kësaj çështjeje kaq me rëndësi, me qënë që më një anë vendimi i një komisioni të math nuk ish e mundur të hiqet dhe aq lehtazi, më tjetrën anë himni i rrënjosur në zemrën e popullit nuk kish mënyrë praktike çrënjosjeje prej rrënjëve të tija traditore.
Ç’ngjau atëhere?
Ngjau se, himni i dytë, i ekzekutuar prej muzikave zyrtare, ndoqi si një rymë uji e pa pritur dhe e fortë shtratin e lumit, gjith dyke mos lojtur dot nga vëndi gurin e rëndë të himnit të parë në mes të rymës...
Edhe uji vazhdoj udhën e vendosur dyke rrethuar gurin, èdhe guri i rrethuar qëndroj pa tundur në vënd.
Qëndroj i patundur sepse mirë dhe mjaftësisht i përgjigjeshe ay edhe asaj fryme shqiptare së pavërrejtur mirë, nga mosnjohja e elementeve gjuhësore dhe stilistike përbënjëse të himnit.
I prekmë lart më-të-kaluar ato elemente dhe tashi, dyke marë shkak prej evenimentit të mësipërm, do relevojmë në hollësirat e duhura dhe paraqitjen shqiptare të tyre, për të kulluar çështjen. Do t’a relevojmë dyke patur për bazë tekstin, për mburim shpiegimet gojore të Asdrenit.

FRYMA KOMBËTARE SHQIPTARE E HIMNIT TË FLAMURIT
Himni Flamurit pranë të bashkuar ka, si poezi, frymën e tij që e përshkon fund-e-krejt, dhe kjo na intereson t’a dijmë si është, ç’far është, për t’ i-a kuptuar më mirë vlerën shqiptare.
Po heqim mënjanë faktin e konstatuar më sipër prej nesh mi sipërsinë e fjalëve, të vargjeve dhe strofave që i shtoj Asdreni modelit, sikundër mundmë t’a shohim këtë prej krahasimit nër tekste, dhe po përmbledhim këtu në mënyrën dhe me përgjegjësinë më të ndërgjegjëshme shpiegimet e Asdrenit vetë rreth çështjes: kurse himni rumun ka, siç pamë, vetëm katër strofa, himni asdrenor është me gjashtë, prej të cilave dy të fundit u krijuan krejt origjinale me qëllim që himni të fitojë një fund më të lidhur me gjithë trupin e poezisë dhe më të fuqishmë kundrejt rithmës së përgjithëshme. Sepse pas mendimit të Asdrenit hovi i katër strofave të para nuk rezultonte i kurorëzuar me energjinë artistikërisht të nevojshme në mbarim. Të dy strofat e para të himnit, d.m.th. ajo që fillon me fjalët: Pranë flamurit... dhe ajo që fillon me fjalët: Prej lufte..., janë të lidhura në kuptim njëra me tjetrën, janë si motër e vëlla që i përfaqëson dyke i përmbledhur bashkërisht vargu qëllimtar i tyre i krijuar ashtu enkas prej Asdrenit:

Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Dy strofat e tjera, d.m.th. ajo që fillon me fjalët: Në dorë armët do t’i mbajmë dhe ajo që fillon me fjalët: Se Zoti vetë tha me gojë, përbëjnë thelbin e himnit, vendimin e patundur për të luftuar kundër armikut, i formuluar në betimin e përgjithshëm që është kriteri siguronjës më i lartë i tij; për atë thelb -siç i thotë Asdreni- krijoj ay, përsëri ashtu enkas, vargun e domosdoshmë shqiptar:

“Për të, për të luftojmë ne”.

Pastaj të dy strofat e tjera, të fundit, d.m.th. ajo që nis me sërën: O Flamur, Flamur, shënj’ e shenjtë dhe ajo me sërën: Trim burrë quhet e nderohet, janë apotheoza e dëshmorëve të rënë për flamurin, si kulm i therrorisë së tyre. Therrorija e tyre, dokument i përgjakur i dëshmorit shqiptar, i-u jep të drejtën e perëndishme për t’u quajtur me të vërtet shenjtorë në altarin e math të mirënjohjes dhe të adhurimit të kombit.
Kjo nuk është, siç duket me plot këtë dritë në shesh, përveç se frymë shqiptare, frymë dhe shpirt prej jetës së pavdekur të Rilindjes shqiptare, që është heroizmi romantik i ngjalljes së atdheut. Frymë e futur me shumë thjeshtësi, me shumë mjeshtëri, me shumë bukuri në çdo fjalë dhe në çdo shprehje dhe në çdo varg dhe në çdo strofë të himnit, qofshin ato në shëmbëllën rumune ose në konceptin shqiptar: unë e bëra vjershën- më shpiegon Asdreni- që t’i shërbejë qëllimit atdhetar dyke e përafëruar me fjalët e origjinalit rumun në disa vargje të katër strofave të para, strofa e pestë dhe e gjashtë dyke qënë të krijuara fund-e-krejt prej meje në frymë shqiptare”.
A është vallë Asdreni që duhet të na heqë, me gojën e vet dhe në emrin e venomit të papërshkruarshëm të autorit, çdo dyshim nga padija mi frymën shqiptare të himnit; është Kol Rodhja që na e heq, me shkrimin e vet dhe në emrin e veteranërisë atë dyshim mi frymën shqiptare të himnit: apo është himni vetë, gjuha dhe stili vetë i tij, që e ka hequr, më përpara fjalës së Asdrenit dhe më përpara letrës se veteranit atë dyshim fator, mburim i një mosmarrëveshjeje së pallogaritur?
As poeti as atdhetari, po teksti i himnit vetë, po fryma shqiptare vetë, qëllimërisht dhe dëndur nëpër ‘të e përshkruar. Titulli: Betimi mi flamur, që i ka vënë himnit Asdreni, nuk gjindet në origjinalin rumun e s’përmban një fjalë ose një koncept të tillë as në trupin e gjithë tekstit. Betimi është një koncept dhe një akt e fakt ethikërisht shqiptar, vetëm shqiptarët, vetëm kryengritësit e çetave të Rilindjes shqiptare kishin betim, betimin që për ta në atë kohë ishte siç kujtuam parolla vepëronjëse e përhapur përgjithërisht. Vetëm në frymën e himnit të Asdrenit lidhet besa shqiptare të cilën himni rumun as e njeh as ka nevojë t’a njohë në gjindjen dhe për qëllimin e atëhershëm të Rumanisë që ay ka përpara sysh. Është vargu i katërt i strofës së parë, varg i dalë plotërisht, plotërisht si trajtë dhe si përmbajtje, nga ideja e poetit shqiptar dyke mos eksistuar fare në origjinal:

“Të lidhim besë për shpëtim”.

Si të gjitha fjalët e vargut, ashtu dhe fjala shpëtim këtu përfaqëson frymën shqiptare, së cilës duhet t’i themi frymë asdrenore me qënë që në mes të kaq shprehjeve të huaja ku Asdreni qe rrezik të përmbytej dyke përkëthyer, ay e pat vërrejtjen gjithnjë të ngrehur për të nxjerrë me çdo mënyrë një origjinalitet shqiptar- frymën shqiptare të qëlluar prej tij. Për shpëtim, do të thotë për t’a shpëtuar vëndin, Shqipërinë, që gjindej në robëri; Rumunët s’e kanë fjalën shpëtim në himnin e tyre, ata kanë vetëm bashkim -bashkimin që jep fuqinë- për t’a mprojtur vëndin e çliruar prej kohe, të shpëtuar prej kohe: ata deshnin bashkim-in e Rumanisë për një kohë reziku, po shqiptarët lypsej që vëndin e tyre më parë se të gjitha t’a çlirojnë prej armikut. Kjo analogji për ruajtjen në çdo rast të frymës shqiptare dhe për krijimin rishtas të saj, konstatohet pothuajse nër gjithë vargjet e himnit të shqipëruar, dhe ne po sjellim këtu nër të tjera vetëm njërën, që është në llojin e saj tipike.
Origjinali përmban fjalët:

“Po Rumanija jonë e shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë”. 

Asdreni e transformon parimërisht këtë ide, për hir të qëllimit shqiptarizonjës që ay ka në vetëdije:

“Po Shqipërija do të rojë,
Për të, për të luftojmë ne”.

Pse kështu? Sepse kjo ka arësyen e saj! Rumanija për vjershëtorin rumun eksistonte, ishte e shpëtuar, shtet më vete. Ajo si e tilla kish nevojë vetëm për lulëzim, kur se Shqipërija duhej më përpara së gjithave të rrojë dhe prandaj shqiptarët duhej të luftonin. Sa kohë që ata s’ e kishin liruar atdheun e tyre, si do lulëzonte ky? Lulëzon një gjë që e ke në dorë, siç ish Rumanija në kohën e himnit, jo një gjë që èdhe nuk eksiston, që nuk është bërë èdhe, siç qe puna me Shqipërinë.
Anallogjija e korespondencave të kësillojshme midis shqipërimit dhe origjinalit mund të përsëritet mjaft herë dyke krahasuar, ajo është aty kudo që t’a kërkojmë nër të dy tekstet, dyke na mbajtur gjithnjë gati para syve të përfytyrimit t’onë një kujdes të math të Asdrenit: kujdesin e bërjes sa më të dobishmë shqiptarisht të përpunimit të tij, që ky të qëndrojë sa më mirë dhe sa më bukur brenda kufireve të vetëdijëshme të frymës shqiptare. Dhe me të parë pas vjetesh se i doli mirë në krye kësaj prove së vështirë dhe së mbushur me përgjigjësi, me të konstatuar se ay himn kësisoj i tija kish pushtuar gjatë kohës jo vetëm zemrat e shqiptarëve të Rumanisë po dhe gjithë shpirtin dhe jetën e mëmëdheut- të cilin e kish ndezur tej-e-për-tej me frymën e tij-, Asdreni e shtypi himnin në librën Ëndra e Lote në Bukuresht më 1912. Po në thjeshtësinë dhe modestinë që e karakterizon nuk u shmëng të shënojë në Parathënie- si për të drejtësuar një vepër që s’kish nevojë drejtësimi- se nuk do të ishte keq sikur të kemi disa këngë të huaja patriotike për t’u kënduar prej shqiptarëve.
Nër ato këngë ish vetëkuptuar dhe himni i tij, i cili, për hir të frymës së tij, hariu të bëhet himni i përzemërshëm i popullit shqiptar.


KISHA SHQIPE E BUKURESHTIT, DHURONJËSJA E HIMNIT KOMBËTAR

Tashi në vështrimeve t’ona rreth gjenezës së Himnit Kombëtar, duhet dhe mund të bëjmë pyetjen: cili nga të dy elementet, muzikë ose tekst, bashkë ndihmoj më shumë në përhapjen kaq të shpejtë, kaq të gjërë të tij?
Përgjigjja nuk është njëjt, ajo ndahet më dysh dyke vështruar Kolloninë e mërgimtarëve të Bukureshtit ose atdheun në robëri.
Për anëtarët e Korit Kishëtar shqiptar të Kollonisë ishte melodija faktori më me rëndësi, dyke mbetur fjalët në radhë të dytë. Njerës me veshin muzikor ata pasionoheshin vetiu me notat e himnit, të cilat i ndjenin në zemër si të tyre. Sepse ishin mësuar me atë melodi dhe ajo i-u përgjigjej siç thamë plotërisht temperamentit të të gjithëve. Fjalët e Asdrenit, të ardhura më pas, nuk bënë përveç se t’a shtojnë efektin e këngës me atmosferën e frymës shqiptare që është merita e tij e veçantë.
Anasjelltas qëndron çështja në Shqipëri. Këtu pranimi dhe përhapja e himnit i detyrohet së pari fjalëve, shprehjeve të shqipes; i detyrohet derdhjes krejt kombëtare që i-u kish dhënë atyre Asdreni, dyke i mbushur me atë shpirt- shpirt shqiptar të kryengritjes të cilin tashi e kuptuam mirë sepse e mësuam si ish dhe nga ç’elementa përbëhej: na e mësoj punëtorija e poetit me gjithë veglat e fshehta, të holla, të mjeshtërisë së tij prej atdhetari.
Këto fjalë dhe këtë shpirt patnë përpara në vjershën e Asdrenit djemat dhe burrat e Korçës kur i-a-u këndoj atyre në fillim Hil Mosi: fjalët shqipe, shpirtin shqiptar: ato muar vesh dhe dashuruan ata së pari dyke i dëgjuar- jo me tingëllin e veshit po me drithmën e fellë të zemrës... Dhe kur fjalët u bashkuan me muzikën- kur qoftë dhe me një muzikë prej tyre së panjohur gjer atëhere- kur fjalët e rënda të vjershës hypnë mi krahët e lehta të melodisë, atëhere vesh e zemër më s’u ndjenë të veçuar, vjersha dhe muzika atëhere u bënë këngë që fluturoj si një Ungjillëzim i Zjartë i Verbit të Zotit, dyke përngritur në atdhedashuri tërë Shqipërinë.
Kjo është istorija e ëmbël dhe e hidhur e himnit kombëtar Rreth flamurit të përbashkuar, që i thonë Himni i Asdrenit, ashtu si ay filloj, si u rit e jetoj, dhe si qëndroj nga vetë virtuta e qëndrës së tij shqiptare.
Një këngë me kaq rëndësi në rrjedhjen e jetës së popullit t’onë dhe në mbrumjen e vetëdijes kombëtare dhe të shtetit shqiptar ishte mirëfilli e vleftëshme për një vëzhgim më të gjatë, èdhe të pamjaftuarshëm si i përparasyshmi.
Po dhe kisha kombëtare shqipe e Bukureshtit, që i dha shkak krijimit të korit nga i cili mori mburimin ajo këngë, ka hije t’i paraqitet me përcaktim vërrejtjes s’onë, mirënjohjes s’onë për të bukurën vepër të saj kombëtare të kryer.
Kjo falëtore e Zotit, nga fryma përbotërisht paqtonjëse e së cilës u themelua për të parën herë në atë mërgim të largë mesha e gjuhës shqipe, quhej si thamë Shën-Gjergji-i-Vjetër dhe i kish dhënë emrin e vet dhe rrugës ku gjindej, një rrugëzë pa dalje: Rruga e Shën-Gjergjit-të-Vjetër (fundëtura Sfantului-Gheorghe-Vechiu). Kisha e kishte ballin në udhën më të bukur të kryeqytetit rumun- Calea Victoriei, që ku dukej pothuajse nj’a pesëmbëdhjet ose njëzet metra fellë, dhe prej ndërtesës ku kishte dhomat dhe sallat e saj selija e Kollonisë ishte vetëm si dyqind metra larg më të mëngjër.
Nuk e mbajti Kollonija përgjithnjë kishën Shën-Gjergji-i-Vjetër, sepse u desh t’a ndërrojë me një tjetër më të volitur për manifestimet e saj kombëtare; po në vitin 1911 në dimër meshimet bëheshin èdhe në Shën-Gjergjin-e-Vjetër, dhe kur ardhi Fan Noli në Bukuresht më 1913- këtu, në kishën historike të Shën-Gjergjit-të-Vjetër, e mbajti ay meshën e tij të parë shqip të Rumanisë dhe fjalimin e bujshëm për vdekjen e Nikoll Naços, kryetarit kuximtar dhe idealist të shoqërisë Drita.
Kisha e dytë e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit e kish emrin Më-Një-Ditë, dhe gjindej në një pozitë shumë të mirë të qëndrës, në Rrugën e Akademisë (Strada Academiei colt cu strada Ienei), nj’a pesëdhjet metra larg më të djathtë nga Selija e shqiptarëve. Ajo ish m’e madhe se kisha e Shën-Gjergjit-të-Vjetër dhe quhej Më-Një-Ditë (Dintr’ o Zi), sepse për t’a shpëtuar vëndin e rëndësishmë të saj nga pushtimi i zotëronjësit otoman u ndërtua prej besnikëve në njëzetekatër orë- më një ditë të vetëm- me gjithë monumentalitetin e arkitekturës dhe shkëlqimin e pajisjes ku çquhet veçanërisht freska e madhe murore e dhuronjësit.
Kisha Më-Një-Ditë është shpallur prej shtetit rumun ligjërisht si monument kombëtar, nga shkaku i rëndësisë istorike dhe i ndërtimit të saj madhështor. Vetëm për rindreqjen nga dëmtimet dhe cënimet e kohës Kollonija e Bukureshtit prishi katërqindepesëdhjet mijë lei, në kohën e Jan Dangë Postènanit, kryetarit të mirëmerituar të Komunitetit Orthodhoks Kombëtar Shqiptar.
Festa më e madhe e Kollonisë dhe e kishës shqipe të Bukureshtit ish 28 Nëntori: Dita e flamurit, dhe Shën-Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit. Këto kremtime bëheshin me bujën dhe me madhështinë më të madhe, dyke u ftuar në Seli të Kollonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të lartra të vëndit, me mbretin në krye të të gjithëve; ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rallë. Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rinin nga mungesa e vëndit jashtë në obor, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në obor, më të djathtën e hyrjes kryesore të kishës, qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur. Flamuri i Kollonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qindisur rreth-e-për-qark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa- njëra e kuqe, tjetra e zezë- të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përhera dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur sicili burrërisht me robet e tyre kombëtare.
Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës nër festat më të mbëdha të saj- 28 Nëntor dhe Shën-Gjergj-, përbrënda ajo çkëlqente nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte nër zemra.
Dhe pas Te-Deum-it të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një personaliteti nga më të lartët të vëndit i pasuar prej fjalimesh të shqiptarëve, të cilat, kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej veteranit të math Thanas Kantili, të zjartit, të flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kollonisë në Rumani; ky, me gjith naturën e tij zakonërisht hije-rëndë, kur fliste në kishë nër këto festa kombëtare nuk e përmbante dot vetëhen nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mun në mes dyke e përfunduar pastaj atë pa-pritur-pa-kujtuar me fjalët: Rrofsh, moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri!
Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët këtheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të ritur pë mëmëdhenë.

GJENEZA E VJERSHAVE ATDHESORE TË ASDRENIT

Dyke shkrojtur aty lart mi Himnin Kombëtar të qojtur himni i Asdrenit, shënuam se shtytja rastore për të bërë atë himn pat ardhur prej Korit të kishës shqipe të Bukureshtit, në një moment enthusiazme së përgjithëshme.
Të këtilla momente nuk çfaqeshin rallë në Kolloni të Bukureshtit; përkundrazi, ajo i krijonte dhe kur nuk qenë aty, nga ngjarjet dhe shkaket më të pavërejtura të ditës. Ishte mënyra e saj e vepërimit kështu, një vepërim shumë i gjallë i propagandës patriotike.
Dhe përfundimet e korrura nuk e munguan të shumtën e herës qëllimin.
Asdreni, të cilin me gjithë atributet duhet t’a quajmë “vjershëtorin e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit”, pasqyronte në çdo moment dhe prej vetiu veprën e saj të pafjetur. Gjithë vjershat dhe këngët e tij patriotike, kanë qënë pema e këtij pasqyrimi të vazhduar. Mund të themi dhe duhet t’a themi, se kjo, Kollonija shqiptare e Bukureshtit me çështjet dhe lëvizjet e saj të papushuara, të ditëpërditëshme për Shqipëri, i-a pat vënë Asdrenit pendën e vjershërimit, pendën e vjershërimit të punëve të saj shqiptare në dorë. Ata - më thotë poeti rishtas për shqiptarët e Kollonisë- nuk më linin të qetë me mbledhjet e tyre, unë nxehesha kur m’i theshin vendimet dhe nuk shëkonja dot punën t’ime, dyke dashur t’i ve në vjersha.
E kam shënimin nga vera e vitit 1938, kur isha t’a shoh Asdrenin në fshatin e tij të freskët lindjak, në Drenovë, që i ka falur jetën me gjak shqiptari nër remba. Aty ndoqi ay shkollën fillore, plotësoj mësimet e gjimnazit në Korçë me profesor privat, dhe mori dhe ay udhën e mërgimit për në Bukuresht.
Po kap rastin këtu të përpikësoj, se Asdreni nuk ka mbaruar gjimnazin grek të Korçës, siç është shkruar (Aleko Vançi, Pranë Kllanikut, Bukuresht 1940: Asdreni, vjershëtori kombëtar), po vetëm i plotësoj, me zellin dhe me vijimësinë më të paprerë që ish e mundur, mësimet gjimnazore me profesor privat.
Punën t’ime është detyra e përditëshme e djersës së ballit të tij në tregëtoren e një atdhetari, i cili, i kuptuar dhe zemërmirë, nuk i-a mirte për të keq fletët me vargje të përzjera nëpër shkresat e llogaritarisë. Prej kësaj kohe, që është koha e rinisë më së parë, datojnë një grumbull vjershash fillimtare të librës Rreze Dielli.
Gjithë poezitë patriotike të Asdrenit, jo vetëm patriotiket po dhe një sasi e të tjerave me subiekt të ndryshmë, veçanërisht satirik, janë shkruar rastërisht, me paraqitjen e një rasti atdhesor për punë ose për manifestim. Rasti paraqiteshe gjithnjë në gji të Kollonisë në Bukuresht, qoftë se kjo e shkakëtonte vetë me vepërimet e saj të shumëanëshme dhe të pambaruara, qoftë se i vinte së-jashtmi, nga viset e mërgimit ose nga çetat shqiptare.
Me qënë që nuk mund të ngjante asnjë përpjekje për atdhe, sikur dhe më e vogëla të ishte dhe më me pak rëndësi të dukurshme, pa mos gjetur jehonën e përforcuar në zemrën dhe prej zemrës së Kollonisë, kuptohet vetiu mburimi kryesor i këtyre rasteve të vjershërimit patriotik të Asdrenit: ay mburim ishte shoqërija e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit, me lëvizjet dhe organizimet e saj të shumta rreth mëmëdheut.
Në bashkëfjalimet që kam patur fatin të më japë Asdreni, m’a ka theksuar shpesh këtë fakt të punëtorisë së tij: faktin rastor të hartimit, jo rrallëherë dhe të improvizimit të vjershave patriotike, siç pamë drejt-për-drejt me marshin Ejani sot, o Shqipëtarë.
Kësisoj përpjekjet e shqiptarëve që jepnin rastin e jashtmëm, gjenin një ripasqyrim pothuajse të aty-për-atyshmë në metrikën vjershëtore të Asdrenit, e cila i ka fiksuar si të theshim kronologjikërisht ato përpjekje. Kur të jenë caktuar me datën e tyre sa më të përpiktë këto vjershërime patriotike dhe satirike, do jetë bërë i mundur së-paku në një pjesë- në pjesën poetike asdrenore- dhe rrëfimi kronistik i analeve të Kollonisë, kur se anasjelltas istoriografimi i saj i dokumentuar do këthjelltësojë në mburimin e vet të bashkëkohëshëm lindjen e shumë poezive rastore të tilla.
Pjesa më e madhe e këtyre vargjeve- marshe, oda, himne, këngë patriotike- është shkrojtur me ngutësi, nënë shtytjen e pandaluar të momentit; ngjan se ato s’kanë një pretendim arti, i vetëmi ambicion i tyre dyke qënë mbrothësimi ose harrijtja e qëllimit të shenjtë kombëtar për të cilin qenë ngjizur: të vështruara nënë këtë pikëpamje ato qëndrojnë të gjitha plotërisht në lartësinë e ambicioni. Ay dhe i tejkalon caqet e veta në Himnin e flamurit, të pranuar dhe të përhapur me shpejtësi nëpër gjithë Shqipërinë, për t’u shuguruar më në fund prej popullit si një simbol i math i përpjekjes kombëtare.
Në këtë kategori hyn, me sendësime artistike të dukura, poezija e volumit Ëndra e Lote që mban titullin Vlera e atdheut, e shkrojtur përpara ngritjes së flamurit. Asdreni u vu t’a bëjë në vazhdim-e-sipër të disa mbledhjeve të shpeshta të Kollonisë gjatë vëngjilit të evenimentit istorik. Vlera e atdheut, poezi me frymëzim të ngrohët, është siç kujtojmë dhe artistikërisht midis më të bukurave nga gjithë poezitë e vëllimit. Toni shpirtëror i saj kumbon i plotë dhe i njëjtë që nga vargjet e para të fillimit:

Sa të dua, o Shqipëri!
Sa mall ndjenj, e sa dëshirë!
Për ty zjarr e dashuri
Mun ndë zemër më ka mbirë!

Sesi i hartonte Asdreni këto poezi patriotike të rastit, ç’rrjedhje shpirtërore dhe ç’përfundim lëndor kishin ato nër mërgimtarë, na e sjell para sysh vjersha Zëri i kryengritësve e botuar në Ëndra e Lote pranë shumë të tjerave të llojit të saj.
Po e marrim si shëmbëll këtë vjershë, sepse ajo është tipike për të shfaqur më mirë qëllimin e këtyre radhëve: duam me këtë shënim të japim një mbështetje të parë për vëzhgimin e veprës atdhetare të Asdrenit, të shprehur në vjershat përkatëse. Një vlerë kryesore e tij, tashi që kemi mundësinë t’i-a shohim jetën dhe artin në përspektivë të kohës, është pikërisht qëllimi i paramenduar i poezive të tilla, të vëna pa as edhe më të voglin përjashtim në shërbimin e çështjes kombëtare. Dhe mënyra si e ka përmbushur ay atë shërbim, kjo rastësi vjershëtore e tija, na jep drejtimin themeltar për t’a vëzhguar.
Le të riprodhojmë këtu disa strofa të vjershës së sgjedhur për t’a vështruar në rastin e krijimit dhe në përfundimet e saj më pas.

ZËRI I KRYENGRITËSVE

Ne s’duam paqen, prehjen të ju prishim,
Ne s’duam të na falni pasuritë,
As dorë zgjatim, lipës s’e durojmë,
Në luftë që të rini ne s’u grishim,
Të lini lark fëmijët dhe shtëpitë.
Asgjë për veten t’onë ne s’kërkojmë,
Asgjë nuk duam, nukë,
Veç armë dhe ca bukë.

Me kryet lart në zjarr të luftës vemi,
Dhe armët rrokin gratë-e na gjurmojnë;
Me gas e derdhim gjakun për lirinë,
Rezikun s’e peshojmë kudo jemi:
Prej zë trumbetash malet kur gjëmojnë,
Të shkretë e lemë vatrën dhe fëmitë.
O, gjë nuk duam, nukë,
Veç armë dhe ca bukë.

Shtëpi ne kemi shpellat, vrimat, malet,
Nesh rotull gjith armiq e tradhëtorë,
Pa vetëdije-e njerës të pabesë,
Një-argjendit, arit tjatri- i falet,
Kush helmin heth, kush shpatën mban në dorë
Dhe kush vëllanë- armikut do t’i-a shesë.
Për Zotin s’duam, nukë,
Veç armë dhe ca bukë.

Këtu na njihet vlera, trimërija,
Këtu rrëfehet forca e kombësisë;
Se ne, me t’u bashkuar, tundet dheu,
I thyet çdo armiku krejt fuqija:
Çel trëndafil’ i bukur i lirisë,
Përtrihet kombi, ngjallët Skënderbeu.
O, gjë nuk duam, nukë,
Veç armë dhe ca bukë.

Ç’na duhen krahat, dot kur s’i përdorim,
Ç’na duhet jeta, robër gjithëmonë,
Kur s’shohim djellin, dritën e lirisë:
Pra hënën, errësirën që t’a shporrim,
Të ngjallim kombin, far’ e fisin t’onë,
Për nderin t’uaj, nderë- e Shqipërisë,
Gjë tjatër s’duam, nukë,
Veç armë dhe ca bukë.

Këto vargje kaq të thjeshta, të vëna në matë dhe rithmë dhe bashkëtingëllim menjëherë sapo u çfaq rasti, e kanë përmbushur plot misionin vjershëtor që është çquarësisht misioni patriotik i tyre.
Ato bënë më një kohë të vështirë, të madhe për kombin: Kryengritja e malësorëve zjente më 1911 me vendim, zëri i atdheut i-u sillte shpresa kollonive të mërgimit, Evropa dhe bota ish dyke ndjerë përsëri emrin shqiptar. Luftonjësit vetë s’kishin kohë të mirren me zhurmën e jashtme; atyre i-u lypseshin mjete për të luftuar- predha, armë, ushqime, të holla, që të përmbahet sa më shumë dhe sa më mirë kryengritja.
Në Çetinjë ish atëhere Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Risto Siliqi dhe Ismail Qemali, të vendosur atje me komitet të fshehtë që nuk dukej faqeza, po që zhvillonte një veprimtari të pafjetur për kurajimin dhe financimin e kryengritjes. Luigj Gurakuqi u dërgua nga ana e komitetit në Bukuresht për të mbledhur ndihma midis shqiptarëve të Rumanisë, të cilat dhe nuk munguan të derdhen në matën e asaj hieje së rëndë së lëshuar kurdoherë nër t’atilla raste nga Kollonija veterane e Rumanisë. Kjo lëvizje e malësorëve, në ndryshim me të mëparshmet, për Kolloninë ishte një lëvizje e shpirtit të përgjithshëm kombëtar, sepse ajo i shëkonte kështu të vëna pjesërisht në vepërim mundimet e gjata të qënies së saj si organizatë. Prandaj dhe ndihmoj si përhera me dorën plot. Asdreni që ish eksponenti i saj poetik, e bëri detyrën nga ana e vet. Ay u flakërua me ardhjen e Luigj Gurakuqit dhe mbledhjen e Kollonisë, dhe shkrojti vjershën Zëri i kryengritësve, të cilën i-a-u kushtoj shqiptarëve të pasur për t’i nxitur èdhe më fort për ndihma: U flakërova se lypseshe të bënja një vjershë, kam shënuar nër fletët e mija nga goja e Asdrenit mi këtë rast. Dhe kaq, për vragën shpirtërore të poetit veteran, është e mjaftuar.
J-a lëçiti Asdreni më parë Luigj Gurakuqit vjershën dhe ay e pëlqeu: Është mirë për propagandën e momentit tha Gurakuqi. Këto fjalë i-a tha në tregëtoren e një shqiptari të flaktë- Jovan Efthimi Furxhiu- në Kalimin Vilakros (Pasagiul Vilacros).
Kjo ishte në muajin Maj dhe që aty-e-sipër Asdreni i-a dërgoj vjershën për botim një fletoreje të kohës, Drita e Sofjes, të cilën gjithë atdhetarët dhe veçanërisht ata të Bukureshtit e të Rumanisë e prisnin të dalë me shumë etje.
Buja që bëri kjo vjershë e Dritës pat qënë e madhe, nuk mund të thuhet kujt i takonte vlera më shumë, shqiptarëve që e flakëruan Asdrenin për të vjershëruar apo Asdrenit që i flakëroj shqiptarët për të ndihmuar, vetëm e vërteta mbetet se u mblodhë katërmbëdhjet mijë frënga ar për malësorët dhe i-u dorëzuan Luigj Gurakuqit mi emërin e komitetit të kryengritës.
Gurakuqi u këthye kështu me të shpejtë në Cetinjë ku e priste komiteti; këtë mbreti Niqita i Malit-të-Zi e përkrahte për sy e faqe që të përfitojë nga mundimi i shqiptarëve, sikundër dhe përfitoj: mori ato që mori nga tokat shqiptare dyke i sulmuar dhe shkatërruar malësorët, të cilët nuk deshin të ndahen në kohën e Luftës Ballkanike më 1912 nga viset e tyre dhe u shkretuan e mbetnë pastaj të mjerët si moa më keq.
Ata, malësorët, pjesë fisnike e racës shqiptare u therrorësuan, po shpirti i kombit triumfoj, e dhanë përqindjen e vet në këtë triumf dhe burrat e Kollonisë së Bukureshtit me lajmëtarin zë-ëmbël të tyre Asdrenin.
Kur e mendoj Asdrenin me karakterin e tij aq të kulluar, aq të drejtë, habitem sesi ësht’ e mundur t’a cënojnë gjembat e padrejtësisë dhe atë. Vërtet, Kollonija e Bukureshtit ka qënë e gjërë, zemërzgjdhur kundrejt vjershëtorit të saj. Që në çfaqjet më të para të talentit të tij ajo e pranoj me kënaqësi shpirti, e rrethoj me përkrahjet e saj të pandryshuara. Kohëshkrimi i Rilindjes me mirënjohje duhet të shënojë vendimin e këshillës administrative të shoqërisë ujrash minerale Izvor (Mburimi) të Bukureshtit- e përbërë nga akcionarë vetëm shqiptarë- për t’i dhënë Asdrenit ad infinitum një përqindje të caktuar jetese nga të ardhurat e shoqërisë.
Ad infinitum? Gjer kur??
Gjer në krijimin e shtetit shqiptar dhe gjer në krijimin e Konsullatës Shqiptare në Bukuresht. Atëhere Asdreni i-u shmënget përkrahjeve dhe i përvishet nëpunësisë shtetore. Gjashtëmbëdhjet vjet sekretarije në Konsullatë mjaftuan për të vërtetuar zellin e kushtimit të tij si nëpunës dhe për të vulosur të drejtën e pensionimit si veteran. Kur se e para mbeti, e dyta mungoj. U desh javitja e një tipi dyshimesh- për t’i-a përvetësuar nëpunësinë...

Sunt lacrymae rerum...

Dhe Asdreni pra mbeti pa Konsullatë dhe pa Izvor, dhe u gjend prej këtij rasti vetëm me një satirë në dorëshkrim, të pabotuar. Ja:

PORTRET. DIPLLOMATI SHTATANIK

E ka shtatin tri pëllëmbë
Dhe fytyrën qyramidhe,
Si sqeparë ka ca dhëmbë
Dhe një t’ecur karavidhe.

Një grusht këmbët i ka miku,
Në këpucë fron të lartë;
Bark e kokë si shiniku
Dhe një pamje sysh të thartë.

Dhe nga duart ësht i gjatë:
Po: shpesh-her’ i ka të gjata...
Gjith të duket t’jet’ i urtë,
Po në shpirt m’i zi se nata.

Kur shkon rrugës s’e nxe vëndi,
Shkel e mfryhet si gjel deti,
Djatht’ e mëngjër heth sy shpëndi
Me mënyra mëndje-lehti.

Kur me shokët rri me fjalë
Për t’i bindur sa q’u thotë,
Perpelitet mun si ngjalë
Pa dhe trupn’ e kthen si rrotë.

Miqësinë e ka për cipë,
Peshë kurrë s’i ka vënë,
Dhe sado q’i shtije kripë,
Kripa shije s’i ka lënë.

Di të sillet qysh të duash
Plot mënyra ledhatare,
Por mënyrat po t’i-a gjuash
Sheh se dhelpër qënka fare.

Jet’ e tija plot mystere
Si dhe letrat sibiline,
Vepërat si gjëmba ferre:
Rend si korbi pas stërvine.

Ndron përdita mij besime
Për qëllime satanike,
Merr e jep e çfaq mendime
Me dredhi maqjavelike.

Fjal’ e tija ka të bindur
Veç për sa që nuk e njohin,
Sa për vepra, s’është i lindur-
Flas për vepra që të ngrohin.

Një bisedë porsa nisi,
I çthurr fjalët si të dojë:
Djallëzi q’ e ka prej fisi
Si pas çastit në nevojë.

Se ka frymë diplomati,
Le të mburret zotërija,
Por q’ ashtu me q’ e do fati:
Si lum ne dhe Shqipërija!

Kështu pat qënë dhe do të jetë rrëfimi i gjithë bënjave bujare në këtë botë, kanë qënë dhe bënjat e Kollonisë dhe të Asdrenit- bënjat si është ndërtuar gur-me-gur Shqipërija- dhe këto bënja duhen rrëfyer për t’u ditur dhe për t’u njohur nëpër komb. Prandaj dhe kur ndonjë kësi tipesh bëri hap të sulmojë Asdrenin me të sulmuar veprën e tij, i nënëshkruari dyke rruajtur shentërisht bindjen se të sulmosh Asdrenin do-me-thënë të sulmosh Shqipërinë, i dërgoj veteranit nga mërgimi që larg përshëndetjen kujronjëse që është përshëndetja e veteranërisë shqiptare:

KUJTIM’ I ASDRENIT

Djem të rinj e pleq të shkuar
Që të shajnë pa pushuar-
Djem e pleq Atdhe-mohuar,
S’dijnë më ç’ j-u ke dhuruar:
S’dijnë, sepse kanë-harruar
Kush Atdhenë- e pat krijuar...

Tiranë, 18 Qershor 1943 Lasgush Poradeci