Wednesday, August 8, 2012

Monografi e NIKOLLA.N.NAÇO-KORÇA:nga "LASGUSH PORADECI"


Një fatos i veteranërisë shqiptare :

Fytyra Urdhëronjëse dhe Aktiviteti Heroik i Kryeveteranit NIKOLL. N. NAÇO- KORÇA(Nënë shënjën e Pelerinatës së Gjakut) Prej Lasgush Poradeci

Viti që kaloj, i kursyer në pikëpamje lëndore, pat qënë çpërblimërisht një vit me rëndësi për sa i përket lëvizjes së frymës së kombit. Përveç manifestimeve kulturale nër krahina të ndryshme, revistave të botuara ose ribotuara me një qëndrim të vazhduar ose me një sulm të ri, përveç librave origjinale ose me karakter kompilator, - të gjitha: pemë e një mundimi serios nga ana e autorëve të tyre, - viti që kaloj na bëri të njohur, dyke lënë pas gjurma mbrujtëse, dhè lëvizjen kuptimplote të virtutës s’onë autoktone: virtutë e cila, në mërgim e sipër, na tërheq instinktërisht ndaj truallin e stërgjyshëve, na prin të kryejmë Pelerinatën e Gjakut.Në gjysmën e parë të vitit të shkuar shoqëria Dëshira e Sofjes, e filluar më 1 Janar 1893, vendoste dhe vinte në vepërim gjestin aq konsekuent nër analet shoqërore të veta, simbolin aq të rëndë në historinë e atdheut të rilindur. Nënë udhëheqjen e kryetarit të tyre, dymbëdhjetë anëtarë të komitetit, - veshur me dignitetin e përfaqësimit të një kolonije së tërë pranë qeverrisë, - sillnin në atdhe flamurin origjinal të shoqërisë, dyke lidhur kësisoj, me një besë hijerëndë, zemrën e kombit veturdhëronjës me zemrën e kombit të mërguar. Disa muaj më pas, në Korrik të atij viti, organizata e re po plot vullnet dhe entuziasm e djemurisë kulte, Shoqërija e studentëve shqipëtarë të Rumanisë (S.S.S.R.), vendoste dhe realizonte trimërisht dhe ajo, dyke përballuar gjithë sakrificat dhe pengimet, veprën e madhe të një malli të përvëluar, nostalgjinë e pasosur për t’u bashkuar me shpirtin dhe trupin e racës, Pelerinatën e saj të Gjakut.Kurse ardhja në atdhe e misionasve të Dëshirës u shvillua në heshtje, e bëri historinë me punë, pa marrë asnjë shkak dhè për t’a shkruar, - Pelerinata e gjakut mbajti një atitudë ekspresive, u përpoq t’i çfaqë botës shqipëtare karakterin intim të vetëvetes, t’i japë të kuptojë se qëllimi kryesor i përpjekjeve të saj ishte shumë m’ i lartë, shumë m’ i thellë sesa mund të mirrej vesh vetvetiu. Pelerinata e Gjakut ish, çkëlqimërisht, VAZHDIMI i një TRADICIONI. Nër ditët e para të ndodhjes së S.S.S.R.-së në atdhe, ditë kremtimi shpirtëror për sicilindo shqipëtar, u munduam të relevojmë drejtimin e këtij tradicioni me anën e një fletoreje së përditëshme të kryeqytetit . Kur pelerinët e ndritur pregatiteshin për të lamtumiruar mëmëdhethin e dhemshur të shpirtit të tyre, qëllimin e realizuar me vetëtherori, një studim m’i gjërë i rezervuar për nr.2 të revistës gjirokastrite Neo-Shqiptarisma kish për obiekt ndjekjen më hollësisht, me dokumentim dhe dashuri, të atij drejtimi tradicional të skicuar në kohën e mëparshme. Ngacja e revistës, vonoj daljen në dritë të studimit. Po pritjes s’onë që këtej, në gjirin e egzaltuar të atdheut, i-u përgjiqnë nga vëndi hospitalier anëtarët e S.S.S.R.-së, me anën e referendarit të tyre z it. Dionis Miciacio, student në universitetin e Bukureshtit. Shënimet udhëtimi të tija me nënëtitull Pelerinata e Gjakut, të botuara vazhdimërisht në organin e shqipëtarëve të Rumanisë (Konstancë) , i nderuari koleg i fillon me atë skrutim mistik të fundit të ndërgjegjes së vet ku lëvrin shkëndija e padukur e dashurisë për atdhe, ajo shkëndijë që bëhet Dritë në momentin solemn të pelerinatës dhe kapton shpirtin për t’a larë me frymën e ringjalljes. Është zëri i pleqve, që këndon në dejt e fuqive të reja të kombit, britma përparavajtëse, që urdhëron rikthimin e gjithë gjakut shqipëtar në vatrën stërgjyshore, në dhethin jetik të racës . Me të marë fund notat e freskëta të z it. Miciacio, që na salutuan javë për javë katër muaj me rradhë, profesori i ndritur z. Nicu M.A.Popp, asistent në universitetin e Bukureshtit, i cili pat marë pjesë në Pelerinatën e S.S.S.R.-së bashkë me të shoqen e vet- një vashë bujare nga qarku i Korçës- botoj në fundin e vitit të kaluar librin e vet mi Shqipërinë: Një vënd hospitalier: Shqipëria si ekstrakt nga Buletini i Shoqërisë Mbretërore Rumane (S.S.R.) të gjeografisë, Tom XLIX . Dyke marë shkak prej ekskursionit të tij përmes viseve shqipëtare, ky mik i urtë i Shqipërisë përshkruan shkurtas etapat e ndryshme të udhëtimit, për të hyrë pastaj shpejt në lëndën striktërisht diturake të vëzhgimeve mi aspektin morfologjik të Shqipërisë malësore dhe fushore, mi gjindjen antropogjeografike të Gegërisë dhe Toskërisë, mi çështje të tjera etnike dhe shoqërore, të cilat i komplekton me konstatime origjinale të reja. Mi librin e z it. prof. Popp rezervohemi të bëjmë referatën e duhur më një numur pasor të Shqipërisë së re. Tashi për tashi, një detyrë e ngutëshme na shtrëngon zemrën. Duhet të rifillojmë, pa humbur kohën aspak, kryet e bashkëfjalimeve t’ona mi shpirtin e pelerinatës së re dhe së vjetër, të përtëritim, dyke biseduar dhe kuptuar më mirë, VAZHDIMIN E TRADICIONIT.Për të ilustruar subiektin t’onë, kemi zgjedhur të çfaqim përpara vetëdijes së kombit NJË FATOS TË VETERANËRISË SHQIPËTARE, FYTYRËN URDHËRONJËSE DHE AKTIVITETIN HEROIK TË KRYEVETERANIT NIKOLL N.NAÇO-KORÇA, jo vetëm se kësisoj marrim kontakt të drejtpërdrejtshëm me mburimin e lëvizjes s’onë kryesore independente në Rumani, po veçanërisht se kryetari i Shoqërisë Drita së Bukureshtit është njeriu më tipik, personaliteti më reprezentativ i GJENIT TË RACËS për sa i përket lansimit, me kurajën dhe me energjinë e duhur, të ÇËSHTJES SHQIPËTARE në botën e madhe të diplomatisë, në qarkun e mosafëruarshëm të politikës së lartë.

II

Kur ylli i një njeriu providencial, dyke realizuar me vetëbindje sulmin e virtutave që i shpirtëzojnë qënien, harrin të ngrihet tepër lart dhe tepër i ndritur mi horizontin e mbytur prej errësirës qarkonjëse, një fenomen normal në panormalësinë e tij çfaqet përnjëherej në ambientin e tronditur nga papandehursija. Elementat konstitutive të këtij ambienti, të prekura në ekuilibrin e tyre, ndahen instinktërisht më dysh: më një anë qëndron elementi pozitiv, njerëzit që kanë institucionin e shpejtë, kuptimin direkt të koncepteve të parashtruara prej udhëheqësit të ri, po natural, të tyre; këta, janë pranonjësit e urtë, mprojtësit e bindur, miqt’ e provuar në përzemërsi, të së vërtetës. Po më anën tjatër javitët, si një hidrë e shumëkryeshme, elementi negativ: ata, të cilët, dyke mos dashur të shëkojnë me sy një dritë tepër çkëlqenjëse, një yll verbonjës, vendosin në vetëdijësi të plotë të gabimit të vet mos-kuptimin e lajmit gazmor; këta janë refuzonjësit e interesuar, kundërshtarët prej sistemi, armiqt’ e çasit dhe të momentit, të çdo ideie së re dritëprurëse. Është një realitet i hidhur, po duhet pohuar. Duhet pohuar, për triumfin fundor të së vërtetës. Misioni i njerësve me nder, urdhëron përmbushjen imperioze të detyrës. Kultura e një populli, është kultivimi, me kriter dhe dashuri, i vërtetësisë krijonjëse të vleftave origjinale të tija, është lufta e bindur kundër atentatit ndaj vleftave kombëtare, i bërë prej njerësve pa përgjigjësi. I madhi NAÇO, qëndron kryelartë mun në thelbin e kësaj përpjekjeje trimërore, midis së rremës dhe së vërtetës. AY, I CILI, me atavizmën e thellë të gjakut, me temperamentin entuziast të naturës së vet, me vullnetin e patundur të një shpirti që u pat gatuar në zjarr dhe hekur ngriti më vete, nga labirinti kombëtar, institutin independent më të parë të veteranërisë s’onë tradicionaliste, Shoqërinë të Mësimit Shqip në mërgim “Drita”, pikërisht AY pat formuar obiektin e atakeve më të rrepta nga ana e armiqve zemër-thatë, nga ana e atyre që, të vegjël njëkohësisht nga shpirti dhe nga mëndja, për shkak ultësije ideologjike dhe për shkak interesash materiale , ishin dënuar moralërisht të mos mundin të kuptojnë kurrë nacionalismën e TIJ të inspiruar . U trajtua për kriminal ordiner, sepse pat dërguar në skëterrë, me plumbin e gjashtares, konsullin grek të Egjiptit (Mansurë [Mansurah]),- kundërshtonjësin e tij të mërzitur në çështjen e politikës kombëtare, - për të mprojtur nderin e pacënuarshëm dhe prestigjin e rëndë të emrit shqiptar ; u denigrua si agjent i vllehëve- maqedhonas, sivëllezërve t’anë, kur se ay demaskonte spontanërisht, për t’i dënuar panjëpady me atë replikën e tij vrasëse, gjithë ata vllehë-maqedhonas, atë “bandë tradhëtorësh” të vetëvetes dhe të miqësisë, të cilët patnë kuxuar përmjet pendës së një shkrimtari shovinist të tyre, t’i konsiderojnë si vllehë gjithë njëkombasit e tij të shumëdashuruar, shqiptarët epopeikë, që nxjerrin tym dhe zjarr nga mushkëritë e tyre të çelnikta; u martirizua papërgjigjësisht si eskrok stili të lartë, si depozitar nabab i shtëpive bankare, si pacient imagjinar i asaj fames auri sacra,- kur se ay, kryetari i famshëm i Dritës së tij dhe më së famëshme, ra sëmurë në odën e shtëpisë së paguar muaj për muaj me qira, u internua gratuitërisht dhe vdiq më një spital për të vobektë, u varros me pallto të vjetër dhe me këpucë prej karte: mbushi, kësisoj, misionin e dukjes së tij në horizontin kombëtar me sakrificën e plotë të vetëvetes, dyke lënë pas- si trashëgim perihelik- TRADICIONIN e Pelerinatës së Gjakut ndaj vatrën aborigjene të stërgjyshëve, dhe institutin me shtylla prej graniti të një kolonije shqipëtare në mërgim, për të VAZHDUAR këtë tradicion.Ardhja në Shqipëri e grupit studentor të zellshëm të S.S.S.R-së, në vitin që kaloj, kish më tepër se karakterin e një vizite. Ajo mbante vetiu vazhdimin e tradicionit me të cilin ish ritur, kish domethënien, siç u kujtua më sipër, të një kremtimi shpirtëror për sicilindo shqipëtar. Sepse me këtë rast, - rast i krijuar nga vullneti i anëtarëve entuziastë të S.S.S.R.-së, - rilindi në vetëdijen kombëtare virtuta m’ e rëndë e karakterit t’onë autokton: ajo e cila, me mot e me kohë, na tërheq instinktërisht ndaj truallin e stërgjyshëve, na prin të kryejmë Pelerinatën e Gjakut. Të mbëdha patnë qënë mundimet e këtij togu intelektualësh, për t’i-a harrirë me sukces qëllimit kryesor: konstituimit të një organizate aktive e cila t’u rijapë anëtarëve të saj shpirtin dhe trupin e racës. Dhe me gjith që pa precedent imediat dëshira e vërtetë për punë i forcoj të përballin çfarëdo pengimesh, për të realizuar më në fund, me mundim e me qëndrim, veprën gazmore të përpjekjeve të tyre: Shoqëria e Studentëve Shqipëtarë të Rumanisë është dyke shvilluar, që në fillim, programin e saj të begatshëm dhe sistematik me: a) një shkollë të natës, për stërvitje në gjuhën prindërore; b) një institut konferencash, për hyrje në historinë, literaturën dhe jetën kombëtare; c) një bibliotekë të posaçme, për plotësimin e studimeve private të anëtarëve; d) një kor të plotë, për ngritjen shpirtërore të vetëvetes.Të pregatitur kështu seriozërisht, vizitonjësit e ndritur, të cilët janë që të gjithë studiozë universiteti dhe shkollash të larta, na u paraqitnë vjet me manifestimin më të bukur të vitit të dytë shoqëror: me Pelerinatën e Gjakut.S.S.S.R.-ja u themelua nga vetë iniciativa e studentëve dhe studenteshave të Rumanisë, ajo mban karakterin e një organizate moderne në kuptimin më të ri të fjalës, është, kësisoj, pa precedent të drejt-për-drejtshëm nër analet e lëvizjes kombëtare të kollonive t’ona. Me gjith këtë, rrënjët shpirtërore të saj qëndrojnë shumë më thellë, sesa mund të mirret me mënd zakonërisht. Për realizimin e saj, u desh një paragatitje e gjatë; u desh punimi serios, i qëndruar, plot heroizmë, i një vargu të tërë veteranësh, të cilët e matnin kuximin kurdoherë me vështirësinë e veprës së qëlluar: sa m’i lartë ideali i shpëtimit të atdheut, aq m’ i lartë sulmi i tyre kuximtar. Këtij ideali i u patnë dhënë pas, përkrah me shokë të tjerë më të djatht’ e më të mëngjër, veçanërisht patriotët shqipëtarë të Bukureshtit. Prej më tepër se njëzet shekujsh u përhap, nër pllajat e popullit-gjiri, gjaku i rëndë i racës s’onë; në shekullin e XIII princër shqipëtarë impozonin atje vullnetin e tyre të patundur; gjashtë shekuj më von, një frymë liriprurëse e re mbushi gjithë Rumaninë me jehonën e emrit shqipëtar. Shoqëri kulturale të ndryshme punonin me zell dhe kujdes për të kthielluar, sadopak, horizontin e mvrejtur të idesë kombëtare. Përfundimi i tyre në këtë pikëpamje, është me plot rëndësi.Po nga tërë këto organizata vepërimtare, nga gjithë udhëheqësit mëndje-mbëdhenj të qëllimeve të tyre, nuk ka shëmbëll më të çkëlqyer atdhedashurie, nuk ka personalitet më dinamik për gatimin e njeriut shqipëtar, sesa Burri i Math i Kombit, Dekani i Flamurtarëve të Veteranërisë, Krijonjësi dhe Shpirtëzonjësi plot me famë i Shoqërisë “Drita”: Nikoll N. Naço- Korça.

III

Misioni i tij filloj me një provë kapitale: me një sakrificë gjaku prej gjakut të vet. Nër burgjet e armiqve shekullorë pësoj vdekjen dyke u helmuar tradhëtisht djaloshi-trim katërmbëdhjetvjeçar, i vogëli Vangjel Naço, ky Ëngjëll - Gasprurës , i cili, i inspiruar prej plakut N.N.Naço, kish vrarë konsullin grek për të mprojtur nderin e vet dhe prestigjin e kombit si Pellasg i vërtetë , pas nomit të shentë të besës shqipëtare. Vajtohej fletorja greke e sipërshënuar, në komentin e saj mi çështjen Naço-shqipëtare: Na vjen keq, revoltohemi për padrejtësinë që i u bë vëllezërve shqipëtarë . Po jeremiadat balkanike s’e tutnin zemrën prej luani të Naços. Martirizmi i të vogëlit Ëngjëll-Gasprurës ish për të signali i alarmës për domosdoshmësinë e një kryengritjeje shqipëtare të vetëdijëshme. Pa humbur kohë aspak, lë mënjanë me abnegim punën prospere të vet, neverit me përbuzje vëndin e zisë që i kish gjakosur zemrën, dhe dyke përballur gjithë pengimet vjen e vendoset në kryeqytetin hospitalier të Rumanisë. Më 16 Dhjetor 1884 themelon më vete të parën Shoqëri të Mësimit Shqip “Drita” në Bukuresht; pastaj, qindis me argjënd dhe flori flamurin e saj, të cilit i dhuron për simbol shkabën dy-krerake. Dhe kësisoj nis nga puna e Fushatës së propagandës së madhe, dyke patur për qëllim të përmbledhi vërrejtjen e bashkëkombasve dhe të botës së huaj rreth problemit shqipëtar. Më 16 Shkurt 1886, apelon, me letra të veçanta, në atdhedashurinë, kuletën, dhe... trashëgimin e fortë të një shumice burrash shqipëtarë nga të Bukureshtit, pas-ardhës të të madhit patriot Mandi Tërpo , i cili testamentoj një trashëgim të rëndë për kulturën e popullit shqipëtar. Më 23 Mars 1889 Naçua ndërhyn pranë të fuqishmëve të dheut, dhe shpiegon... lyp... imploron... kanoset... për hirin e mallit që i zjente brenda në shpirt. Midis të tjerësh, marin shkrimet e tija, të rekomanduara posaçërisht, personalitete dhe institute me influencë reale si: Crispi, në Romë (23 Mars 1889); Viziri i Math, në Stamboll (31 Mars 1890); prapë Crispi, në Romë (18 Qershor); Salisbury, në Londrë (24 Korrik); Calmary, në Vienë (24 Korrik); Caprivi, në Berlin (25 Korrik); Carnot-i, në Paris (25 Korrik); Bismarck-u, në Berlin (25 Korrik); Sgapary, në Pestë (25 Korrik); Lahovary, në Bukuresht (10 Gusht); Gjenerali Mano, në Bukuresht (10 Gusht); Franz Josefi I, në Vienë (18 Gusht); Sulltan Abdul Hamiti, në Stamboll (25 Korrik 1891); Suzara, në Vienë (16 Gusht); Rudeni, në Romë (20 Gusht); prapë Franz Josefi I, në Vienë (25 Shtator); prapë Salisbury, në Londrë (25 Shtator); Comte Calmoiraly, në Vienë (26 Shtator); Mbreti Carol I i Rumanisë, në Sinaia (2 Gusht 1892); Ministëria e Instrukcionit Publik, në Stamboll (4 Gusht); Djevat Pashaj, në Stamboll (4 Gusht); Said Pashaj, në Stamboll (4 Gusht); prapë Sulltan Abdul Hamiti, në Stamboll (4 Gusht); prapë Djevat Pashaj, në Stamboll (5 Gusht); prapë Sulltan Abdul Hamiti, në Stamboll (5 Gusht); Comte Chamberi (Shoqërija Biblike Britanike), në Londrë (5 Gusht); Glunstone-i, në Londrë (15 Gusht); Mbretëresha Victoria, në Londrë (15 Gusht); Princi i Ëales-it, në Londrë (15 Gusht); prapë Comte Chamberi (Shoq. Bibl. Brit.), në Londrë (17 Gusht); prapë Franz Josefi I, në Vienë (20 Gusht)1): dhe kështu më tej një det me letra, shpallje, raporte, apele, manifeste, memoriale, broshura dhe, në rast nevoje, libra të plota përmbajtjeje propagandistike, të cilat imagjinoheshin, redaktoheshin, dukshin dhe çdukshin përpara syrit të shpirtit dhe të trupit të Naços-Vizionar, posi më një fantasmagori kaleidoskopi të çudishmë...Këto shkrime kishin, përgjithërisht, një redaktim më pak ose më shumë të gjatë, sipas cilësisë vetiake të Fuqiplotëve, që s’ish e mundur për t’i interesuar lehtë mi gjindjen e koklavitur të punëve shqipëtare. Po atdhetarëve prej një gjaku, të cilët kishin vërrejtur që larg Yllin e Rumanisë, Naçua i u transmetonte vullnetin e vet me anë telegramas koncise, energjike, autoritative. Një shëmbëll: më 14 Shtator 1892, telegrafon në Korçë; më 22 Shtator, në Manastir; më 28 Shtator, në Selenik; më 30 Shtator, prapë në Korçë; më 22 Tetor, në Vlorë; më 22 Tetor, parë në Manastir; më 23 Nëntor, prapë në Korçë; më 12 Shkurt 1893, prapë në Korçë; më 30 Maj para M.D., në Vidin; më 30 Maj pas M.D., prapë në Vidin; më 26 Shtator para M.D., prapë në Vidin; më 22 Shtator pas M.D., prapë në Vidin; më 18 Tetor, prapë në Vidin... Kush nuk mundet nga ndjenja e një admirimi të thellë dyke kënduar, dyke dëgjuar, dyke menduar një aktivitet kaq të frikshëm të një atdhedashurie përvëlonjëse?Po i Madhi Naço, trashëgimtari atavik i racës së Gjigantëve dhe Titanëve2), s’gjen dot qetësi pa lëvizur... Propagandat dërdëllitëse fluturojnë, të shumtën e rastit, në erë. Duhet punë e qëndruarshme, organizim kultural, organizim shoqëror, organizim ushtarak..., për të patur një rezultat me dobi të vërtetë. Naçua i projekton dhe i realizon që të gjitha: merr përsipër një akcion kariteti dhe provon, përhera me punë, qëllimet filantropike që e shpirtëzojnë, dyke ndihmuar të vobektit me ushqim, veshje, mbathje, strehë, - dyke ngushëlluar të sëmurët me doktorë, medikamente dhe gjithë përkujdesjet e duhura, - dyke nderuar të vdekurit me një varrim të mëshirshëm; tërheq rreth tij, dhe dërgon për mësim nër shkolla të ndryshme, më shumë se 100 studentë; shtyp 12000 (dymbëdhjetmijë) libra shkollare shqip dhe i përndan kudo gratuitërisht; ndreq në Bukuresht të parën shtypëshkronjë “shqipëtare”; boton të parën gazetë “shqipëtare”; bën të parën shkollë “shqipëtare”; inaguron të parën kishë “shqipëtare”; dorëzon të parën xhami “shqipëtare”; redakton të parin plan strategjik për kryengritjen e madhe “shqipëtare”... Gazeta e Naços ka për qëllim të vazhdojë luftën e filluar për të nxjerrë nga robërija fisin shqipëtar dyke e “ngopur me dashurinë e shentëruar të mëmëdhesë”1); t’a mësojë kombin shqipëtar që të ruajë me shentëri gjuhën e tij, karakterin e tij, zakonet e stërgjyshëve dhe madhërinë e tij të përmëndur3). Shtypëshkronja e Naços, e cila u ble me të parat 20 000 (njëzetmijë) frënga ar që u mblodhë sapo e themeloj “Dritën”, ka për qëllim të shtypëshkruarit e letërave dhe ditëtoreve shqipe, që të mundet të përhapet drita dhe mësimi në kombin shqipëtar veç në gjuhën shqipe: gjuha ajo m’e ëmbla dhe m’e bukura nga të tëra gjuhërat e botës2); këto, si dhe çfarëdo të shtypëshkruara për mësim, ajo vazhdon, gjithënjë, dyke qënë gati më çdo orë t’i shtypë në gjuhën shqip pas abetares së bërë në Shqipëri4). Shkolla e Naços ka për qëllim,- sikundër nënëkuptohet prej emrit të saj simbolik Drita, - të pregatitë Apostujt për ndritjen e popullit shqipëtar5). Plani strategjik i Naços ka për qëllim të fitojë, me emrin e Zotit, independencën kombëtare, dyke bashkuar popullin e ndarë nga skllavëria dhe paragjykimi, më një kryengritje të përgjithëshme sistematikërisht të organizuar6).

IV 

Përpara veprës intense, të shumëanëshme, plot zemërbardhësi të shoqërisë Drita, një grup parlamentarësh entuziastë, i inspiruar nga shpirti madhështor i Naços, merr iniciativën7) të propozojë me rastin e gjashtëmbëdhjetvjetores së aktivitetit të Dritës një projekt-ligjë, për t’i njohur, cilësinë e vetës juridike dhe morale nga oda e deputetëve në Bukuresht. Grupi i këtyre filoshqiptarëve simpatikë, të cilët, të shtyrë prej Naços, bënin një komitet delegatësh prej shtatë sekcionesh të ndryshme të parlamentit ruman, ish përmbledhur nënë kryesinë e të mirënjohurit literat I.Bianu, dyke patur si raportor deputetin Al. G. Radovici1).Vendosja e personaliteteve me influencë në krye të veprave të veta (ashtu: sa për shënjë reprezentative...) ish një metodë takti shumë dobiprurëse e mëndjemprehtit Naço. Në krye të Dritës Naçua vendos, më 1884, një pasanik me kuletë aktive, - pastaj, për nder, princin I.Gjika, savantin V.A.Ureche, dhe, midis të tjerësh, vjershëtorin V.Alexandri2) (i cili në atë kohë konsiderohej poeti m’i math i Rumanisë, i miemëruar prej filoshqipëtarit Eminescu6) “mbret i poezisë”); në krye të Shqipëtarit, passi e nxori më parë nënë urdhërin e një pleqësie”, Naçua vendos, me titull drejtori, profesorin e ndritur C.Predescu, dhe gazeta botohet, efektërisht, “nënë redaktimin e një grupi profesorësh rumanë3); në krye të Shtypëshkronjës shqipëtare, vazhdimtarja e më së parës, Naçua vendos tipografët profesionistë Motzatzeanu dhe Lambru4), të cilët marrin përsipër udhëheqjen teknike të saj; në krye të Shkollës “Drita”, me detyre Efori, Naçua vendos linguistin e math ruman B.P.Hasdeu, autor i një teorie së re mi gjuhën shqipe, anëtar i Akademisë Rumane në Bukuresht, i Akademisë Imperiale të Diturive në St. Petersburg, i Shoqërisë së Linguistikës në Paris, i Shoqërisë Akademike në Belgrad dhe në Sofje etc., drejtor i përgjithshëm i Arkivave të shtetit, dhe profesor i filologjisë së komparuar në Universitetin e Bukureshtit5). Po gjëja më me rëndësi, që përket organizimin e shkollës së Naços, është metoda e tij origjinale, krejt e re, e vetëme gjer më sot në pikëpamjen e rekrutimit të elementit didaktik. Mësonjësit e sgjedhur prej Naços janë, të gjithë, profesorë me gradë universitare. Nër rradhët e para të tyre shohim këta personalitete, sicilido një specialist i mbaruar në degën e vet: V.Gr.Borgovan, absolvent i fakultetit të teologjisë dhe pedagogjisë në Budapeskë; T.Sperantia, Doktor në filosofi dhe letra (aktualërisht profesor i literaturës popullore në Universitetin e Bukureshtit); A.Kolorian, i licenciuar në dituritë fiziko-naturale nga fakulteti i Bukureshtit dhe Doktor në dituritë fizike i fakultetit të Parisit; N.Kosaçesku, absolvent i Shkollës së Lartë të telegrafisë në Paris dhe i licenciuar në dituritë fizike nga fakulteti i Bukureshtit; S.Popesku, i diplomuar në Teologji, profesor në fakultetin e teologjisë në Bukuresht; E.Grigorovita, profesor në Shkollën e Oficerëve dhe në Shkollën e Lartë të Luftës. Kësisoj Naçua, ky pedagog i inspiruar i kombit t’onë, realizon pa-një-pa-dy, i shtyrë prej gjeniut të tij çqëlqimërisht vepërimtar, një nga problemet më me rëndësi të pedagogjisë aktuale: problemin aq të vështirë që projekton zëvëndësimin e mësonjësve nër shkolla fillore me profesorë të graduar nga universiteti.Nuk është për të çuditur, kur shikojmë se nër profesorët e ndryshmë të Shkollës së Naços çquhet dhe një personalitet ushtarak, një përfaqësonjës i lartë i diturisë së armëve. Qëllimi kryesor për të cilin Naçua krijoj institutin e tij sui generis ish, sikundër u kujtua më sipër, të pregatitë Apostujt për ndritjen e popullit shqipëtar. Ky apelativ, apostull, është një metaforë diskrete. Nënë të fshihej kuptimi,- eventualërisht pejorativ,- i idesë reale që përmbante fjala vetë. Apostull, në kuptimin e Naços, domethënë: Ushtar i ndritur i çështjes kombëtare, i cili përdorte, me zotësi të njëjtë, fjalën, pëndën dhe pushkën. Prandaj regjimi sever i disciplinës së shkollës, parashkruante një kusht të veçantë, ku rezumohej haptas fryma e saj eminentërisht ushtarake: apostujt e iniciuar ndaj misterin kombëtar pësonin, në rast tradhëtie, një dënim shëmbëllor sipas nomit të shentë të besës shqipëtare1). Vetë Naçua solli provën më elokvente të apostullatës së instituuar prej tij. Në planin strategjik ay cakton, pikë për pikë, principet dhe metodën e domosdoshme për të udhëzuar fuqitë kombëtare drejt një qëllimi praktik. Ky qëllim ish: lirimi absolut i Shqipërisë, i bërë prej shqipëtarëve- ashtu- imediatërisht- me armë në dorë! Është një lartësim shpirtëror, për ne epigonët, të këndojmë me sa zell e dashuri, me sa vetëbindje të patundur Naçua koncepon, hollësisht dhe një pas njëje, pikat e ndryshme të planit, rëndësia e të cilit shtohet èdhe më tepër me largësirën e kohës së redaktimit dhe dërgimit për ekzekutim, që më 1884. Ky egzekutim presupozon, përpara të gjithave, një kusht esencial: bashkimin e shentë të kombit. Kur të jenë bashkuar shqipëtarët e krishterë dhe myslimanë si vëllezër që janë me njërijatrin - thotë Naçua në pikën ist- kemi besim të plotë ne Zoti se kryengritja do bëhet dhe do sjellë independencën... . Kryengritja e bërë, duhet, për vleftësimin e saj, një manevrim strategjik hollësisht i studiuar; Naçua mban kujdes për të gjitha: ... Në këtë kohë - vazhdon urdhëri i tij pas disa konsiderimesh paraprake- ushtëritë t’ona të qëndrojnë mi këmbë lufte dhe të mos lëvizin... Passi shqipëtarët të kenë luftuar kundër Sulltanit dhe të dy palët të jenë raskapitur, atëhere Qeverrija t’i-u propozojë kryetarëvet ushtarakë që të kërkojnë t’i-u dërgojë ndihmë...”2) Dhe kështu më tej... Problemin e vështirë të financimit të kryengritjes naçua e rezolvon, si gjithë problemet e veprave të tjera, më një mënyrë shëmbëllore: dyke prurë përpara ndihmave të të udhëhequrve prej tij- dyke vënë në ballin e sakrificave të huaja sakrificën e rëndë të kuletës së vet: Të holla, do prishni shumë pak, dhe vetëm nga fillimi i kryengritjes, sepse pastaj ka vëndi. Gjinden shumë shqipëtarë të pasur në mërgim, të cilët kanë ndenjur të pamartuar, me qëllim që pasuria e tyre t’i shërbejë lirimit të atdheut3). Cilët janë këta shqipëtarë të pamartuar për hirin e atdheut, këta shentorë abnegatë-mëdhenj në falëtoren e një perëndeshe èdhe së padukur?... Përpara të gjithëve dhe në ballin e të gjithëve, qëndron, si yll i ndritur, fytyra napoleoniane e të madhit Naço, me fjalët e tij lapidare, me vendimin e tij imediat, vendim që mposhtte vështirësirat dyke vepëruar: “... dhe unë kam pak të holla, dhe jetën t’ime do t’a sakrifikoj, sepse që në vogëli mundimet e mia i kushtova për Shqipërinë e dhemshur, me të cilën u martova dhe e mora për nuse, që të armatos dhjetë luftëtarë nga mundimet e mia për independencën e saj”1). Prandaj “kam gëzimin të bëhem apostull 3) që t’a shikoj të ngritur flamurin e independencës dhe të bashkuar gjithë vëllezërit e mij prej një gjaku (vëllezër të ndarë me pahir nga njërijatri aty para 400 vjetesh),- dhe atëhere plumbi i parë dëshëroj të më godasi mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshëve t’anë të cilët na vërrejnë me breng së largu, dyke pritur prej nesh lirimin e atdheut të tyre: dhe kësisoj bashkë me ta të vete pranë Skënderbeut, t’i them se atdheu, me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së shentë shqipëtare, ngriti flamurin kundër tiranit dhe po lirohet2).

V

E pa Naçua të ngritur Flamurin e Independencës, simbolin e kombit të kuq si zjarr? Këtu duhet të përgjigjemi,- me gas dhe breng,- se e pa. Me gas dhe breng: sepse pamja e tij ish një pamje VIZIONARE, sikundër VIZIONARE patnë qënë gjithë shpresat e ngrohura në vlagën e pastër të zemrës së vet. Pak minuta përpara vdekjes: në ditën e bardhë të 24 Prillit 19134), një tog patriotësh besnikë të ideve të Naços vinte në spitalen Coltei të Bukureshtit, për të vizituar kryetarin e tyre të adhuruar, i cili dirgjej në sekcionin e doktorit Petrini-Galatz ku kish rënë për të fundit herë pas një aktiviteti të pashëmbëllt në luftën e tij sipërnjerëzore për atdhe e kombësi. Më plaku syresh, i afrohet me drojtje shtratit të pacientit dhe me gas në buzë i bën të njohur lajmin e freskët të një evenimenti gazmor- i thotë se Konferenca e Ambasadorëve në Londër do shpallë për së shpejti autonominë dhe suveranitetin e Shqipërisë, dyke caktuar dhe kufiret t’ona kombëtare... Kundër urdhërit kategorik të doktorit, që mos lëvizë, Naçua s’e përmbajti dot buçitjen e zemrës, u ngrit menjëherë në shtrat, hapi krahat, dhe briti: rroftë Shqipëria! Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi, le të vdes: Zot’ i math më paska falur një vdekje të ëmbël! Dhe me këto fjalë, të cilat ishin fjalët e fundit për mallin që i pat përvëluar zemrën një jetë të tërë, mbylli sytë përgjithënjë nga drita e kësaj bote dhe vate në të vërtetën, plaku 72-vjeçar, burri i math i kombit, dekani i flamurtarëve të veteranërisë, krijonjësi dhe shpirtëzonjësi plot me famë i shoqërisë Drita Nikoll N. Naço-Korça, nga vepërimet e shpejta, kuximtare, të shumëanëshme të të cilit ndriteshin shqipëtarët e kollonive të mërgimit, ndizeshin patriotët e Shqipërisë dhe çqetësoheshin e tundeshin të fuqishmit e botës, në krye me Europën mëkatare- këtë kurvë të botës- dhe me gjithë përfaqësonjësit, ministrat, prezidentët, mbretërit dhe perandorët e saj të patundur...Naçua vdiq, po vepra gazmore e mundimeve të tija RRON. Me anë të saj u gatua që në fillim kultura jonë veterane, kjo VLEFTË KOMBËTARE, e krijuar mi themelet e shëndetëshme të vepërimit dhe të kuximit. Trashëgimtare e kësaj kulture, djalëria shqipëtare kulte, që është eksponenti i kombit të mërguar dhe i kombit veturdhëronjës, mban në fundin e vetëdijes me shentëri një mision tepër të rëndë. Misionin e VAZHDIMIT të kulturës së trashëguar, atë të vleftësimit të saj për vetëveten dhe për brezat e arthme, dyke e veshur me DINAMISMIN KONSERVONJËS TË TRADICIONIT. Prandaj dhe ardhja në atdhe e grupit studentor të Bukureshtit, e bërë nënë shënjën e Pelerinatës së Gjakut, kish për ne një kuptim të thellë, desh të thotë, përpara së gjithave, një kremtim shpirtëror për sicilindo shqipëtar. Pelerinata e Gjakut ishte lidhja mistike e atdheut Kolonias me atdheun autokton, lidhje e inaguruar dhe e vazhduar heroikërisht prej të madhit Naço, i cili, dyke mposhtur me VEPËRIM fatin e zisë s’onë kombëtare, s’pushonte së mërmëruari, më çdo moment dëshpërimi, FJALËT E PËRVAJSHME TË ZEMRËS SË TIJ, REFRENIN EKSTATIK TË KËNGËS SË GJAKUT: Plagët e mia nuk shërohen, veç kur t’a shoh kombin t’im të shkruajë gjuhën e vet . Sot, pas gjysmë shekulli të mbushur me punim, gjuha shqipe jo vetëm harrin të shkruhet, po e përdorur mjeshtërisht dhe me dashuri prej shkrimtarëve reprezentativë, është e zonja të shprehi mendimet më të larta, ndjenjat më të thella, sulmet më të pushtetëshme të vullnetit të racës. Vullneti i racës shqipëtare merr hov nga një mburim i vetëm: nga Fryma e saj prej atavisme e rëndë, nga instinkti i një heroizme së vetëlindur në gravitet, personifikimi alegorik i së cilës është burrëria, kuximi dhe qëndrimi jonë i trashëguar. Kjo virtutë e trishme, kjo trini e njëshme e vetijes më përmbajtëse të racës s’onë, ish trupëzuar aty përpara gjysmë shekulli tërësisht prej shtërmadhit Naço. Në çdo kremtim shpirtëror të ditëve të sotme, në çdo Pelerinatë Gjaku të ditëve të nesërme, kremtime dhe pelerinata që LIDHIN TË SHKUARËN ME TË ARTHMEN, DYKE BËRË NJË TRADICION NGA SHËMBËLLAT E MARA PREJ TË PARËVE, kanë pjesë, me të mbëdhenj e me të vegjël, gjithë shqipëtarët prej një gjaku, të mbledhur përqark tryezës së përgazëshme që i u shtron shteti fisnik dhe zemërgjërë. Nuk ka pjesë vetëm një njeri: Ay, i Cili, që në kohën më të errët të ringjalljes s’onë, pat dhënë gjakun dhe jetën e vet për të paragatitur kremtimin më të madhërishmë nga gjithë kremtimet, kremtimin që është kremtimi i kremtimeve:KREMTIMIN E SHPIRTIT;nuk ka pjesë Ay i Cili, dyke përvetësuar heroikërisht misionin e frikshëm të organizimit dhe lirimit të një populli të tërë, krijoj në mes të kaosit t’onë kombëtar MUZIKËN (AH, TË PËRLOTUR!) TË SHPIRTIT TË TIJ, dyke bërë Shoqëri shqipëtare pa anëtarë shqipëtarë, Shkollë shqipëtare pa nxënës shqipëtarë, Gazetë shqipëtare pa këndonjës shqipëtarë, Shtypëshkronjë shqipëtare pa klientë shqipëtarë, Kishë shqipëtare pa të krishterë shqipëtarë, Xhami shqipëtare pa myslimanë shqipëtarë...; nuk ka pjesë Burri i Math i Kombit, Dekani i Flamurtarëve të Veteranërisë, Krijonjësi dhe Shpirtëzonjësi plot famë i Shoqërisë “Drita” Nikoll N.Naço-Korça, i Cili prej MOS-SHQIPËTARIT gatoj NJERIUN SHQIPËTAR, dyke na lënë për trashëgim Fytyrën e tij Urdhëronjëse. Që të ndritet në përjetësi testamenti i Vjershëtorit:“Si trashëgim ju lemë shpirtin t’onë” . 



1) sh. Arkivat e shoq. “Drita”, v. 1889-92.1) sh. Arkivat e shoq. “Drita”, v. 1892-93.2) Acheloos, v.II, nr. 121, f. 1, kol.II, 28 Janar 1889.1) Shqipëtari [Duaj, që të mundësh; ndrit-u, që të jesh], v.I, nr.1, f.3, kol I. Bukuresht, 7 Gusht 1888. 2) ibid., f.2, kol. I.3) Shqipëtari, ditëtore shkronjëtorëse dhe mësonjëtorëse, v. I, nr. 1, f.2, kol IV. Bukuresht, 16 Korrik 1895.4) ibid., f.4, kol. IV.5) sh. Aktin fundamental të inagurimit të shkollës, në Arkivat e shoq. “Drita”, v. 1892.6) Acheloos, v.II, nr. 123, f. 1-2, kol.II, pika ist. 11 Shkurt 1889. 7) 8 Mars 1903.1) sh. fletën Adunarea Deputatilor. Sesiunea ordinara 1902-1903. (Bukuresht).2) Qëndrimi i Shoqërisë së Shqipëtarëve “Drita”, f.12. Bukuresht 1892.3) Shqipëtari, ditëtore shkronjëtorëse... , f. 1.4) ibid., f.4, kol. IV.5) sh. Aktin fundamental të inagurimit të shkollës, në Arkivat e shoq. “Drita”, v. 1892.6) MIhal Eminescu, Poezii, Ed. II (Maiorescu), Bukuresti 1885, f.198.1) (viheshin në plumb). sh. Statutet e Shkollës, Bukuresht 1892.1) Acheloos, v.II, nr. 123, f. 1, kol.II.2) ibid., kol.I, pika ia.3) ibid., pika ig.1) Acheloos, v.II, nr. 123, f. 2, kol.I, pika iz.2) ibid., pika ie.3) Kfr. Shqipëri’ e re, 28 Nëntor 1926, f.7 (“Xha Naçua”).4) sh. Aktin e vdekjes së N.N.Naços, (në Regjistrat e Akteve të të vdekurve për vitin 1913, Zyra e Shtetit Civil e Bashkisë së Bukureshtit).

No comments:

Post a Comment